Në një takim të mbajtur të hënën në Venecia, ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë, Greqisë, Italisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e tyre në kuadër të nismës Adriatiko-Joniane (ADRION).
Duke vlerësuar bashkëpunimin afatgjatë në këtë nismë, ministrat rikonfirmuan përkushtimin e tyre ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit.
Takimi përkoi me 20-vjetorin e ADRION, një nismë që ka luajtur një rol kyç në rritjen e sigurisë detare dhe ndërgjegjësimit për situatën në rajonin Adriatiko-Jonian. Ministrat vlerësuan rezultatet e arritura dhe theksuan nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin drejt objektivave më të avancuar, duke adresuar sfidat e reja gjeostrategjike.
ADRION, përmes forcës së saj operacionale “On Call Maritime Force” (OCMF), ka shërbyer si një mjet i besueshëm për promovimin e trajnimit, ndërtimin e besimit dhe sigurimin e një pranie të qëndrueshme detare në rajon. Ministrat inkurajuan përmirësimin e efektivitetit dhe dukshmërisë së ADRION përmes zgjerimit të trajnimeve dhe bashkëpunimeve me organizata ndërkombëtare si NATO dhe BE.
Në fokus ishte edhe siguria e infrastrukturës kritike nënujore dhe eksplorimi i sinergjive me forume të tjera rajonale për të forcuar më tej sigurinë dhe prosperitetin e Mesdheut. Ministrat vendosën gjithashtu që takimet e ardhshme të zhvillohen çdo dy vjet për të monitoruar progresin e kësaj nisme.
Sipas ATSH
/ rtsh.al /