RTSH 24 Live

Art

Nis ristrukturimi i Sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve

14/01/2022

Nis ristrukturimi i Sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve

Salla e koncerteve në Universitetin e Arteve do t’i kthehet studentëve e artistëve sipas standardeve bashkëkohore, por edhe duke ruajtur trashëgiminë.

Ky ishte premtimi i ministres së Kulturës, Elva Margariti gjatë inspektimit të punimeve për restaurimin e kësaj salle.

“Kur i vumë vetes synim restaurimin e Sallës së Koncerteve të Universitetit të Arteve, skeptikët ishin të shumtë, madje pak besonin se do ia dilnim. Falë një fryme të re bashkëpunimi me TAP – Shqipëri, që iu bashkua vizionit tonë për rijetësimin e kësaj salle historike, këtij poli të ri kulturor, po punohet me hapa të shpejtë në përforcimin e strukturës së godinës, punimet në sistemin mekanik e elektrik, si dhe fasadën e saj”, nënvizoi Margariti.

Rinovimi i sallës së koncerteve në UAT ka si objekt rigjenerimin dhe adaptimin tekniko-funksional të skenës së koncerteve, e cila është pjesë e ndërtesës së Universitetit të Arteve të Tiranës.

Projekti bën së bashku një sërë partnerësh, si Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe TAP, në cilësinë bashkëfinancuesve të projektit, Agjencinë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Cooperazione Italiana), Atelier4 dhe Universitetin e Firences.

Punimet restauruese janë planifikuar të zgjasin 14 muaj dhe pritet të përfundohen brenda prillit të vitit 2022.

Salla e koncerteve në Universitetin e Arteve do të kthehet në një pol të rëndësishëm kulturor dhe nga ana tjetër, pjesë e memories arkitekturore të këtij vendi.