RTSH 24 Live

Politikë

Nis ndërtimi i Parkut fotovoltaik të Karavastasë, Rama: Hap faqe të re për rajonin, transformojmë Shqipërinë në eksportues neto të energjisë

01/07/2022

Nis ndërtimi i Parkut fotovoltaik të Karavastasë, Rama: Hap faqe të re për rajonin, transformojmë Shqipërinë në eksportues neto të energjisë

Ka nisur sot (1 korrik) ndërtimi i Parkut fotovoltaik të Karavastasë. Ministrja e Energjisë Belinda Balluku ka deklaruar se energjia e prodhuar prej këtij parku do të jetë 24.89 euro. Ministrja theksoi se ky është një nga parqet më të mëdhenjtë të energjisë diellore në rajon, me kapacitet 140 MGË në një sipërfaqe 120 hektarë.

"Është parku më i madh fotovoltaik në Ballkan me 140 megavat orë. Kjo ditë merr rëndësi më të madhe. Energjia që ne prodhojmë mbulon vetëm 70% të nevojave që ka vendi për konsum. Parashikimet për rritjet për çmimin e energjisë së importuar, janë hedhur poshtë pasi pritej që një megavat të ishte 250-260 euro, por ka arritur në 340 euro. Voltalia është një nga kompanitë e prodhimit energjetik, që ka zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Energjia e prodhuar prej këtij parku do të jetë 24.89 euro për megavat orë. Në mesin e vitit 2023 kur parku do të jetë në funksionim ne do të marrim për 15 vite 70 megavat orë me çmim 24.89 euro. Këtu po nis investimi prej 100 milionë eurosh për ti dhënë një frymëmarrje sistemit energjetik", tha Balluku.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh ky projekti u kërcënua nga ndryshimi i konjukturës. Ai theksoi se nuk heq dorë nga vizioni i Shqipërisë 2030 dhe transformimin e vendit në eksportues neto të energjisë.

“Projekti u kërcënua nga ndryshimi marramendës i konjukturës. Teksa çmimi i  energjisë për Evropën dhe botën bëhet gjithnjë e më problem, Shqipëria mbetet i vetmi vend që nuk e ka prekur dhe do vazhdojë të mos e prekë çmimin e energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël, gjë që bën që norma e inflacionit, të jetë me e ulëta në rajon. Me gjithë mirëkuptimin për gjithë pjesën tjetër që është e pashmangshme, kush nuk ka nevojë për mbështetje në këtë fazë delikate për ekonominë e botës, dua që askush të mos e harrojë se ka dy të dhëna të rëndësishme për të kuptuar situatën ku ndodhemi dhe për të kuptuar pse-në e pjesëmarrjes së secilit me pjesën e vetë të vështirësisë në këtë proces. E para energjia. Gjërat që nuk ndodhin, janë vështirësisht të konceptueshme. Mos harrojmë, po e përballojmë këtë situatë duke ruajtur sistemin me taksat më të ulëta për pjesën më të madhe të popullsisë. Taksat e larta i paguan biznesi i madh në Shqipëri. Po bëjmë një tjetër hap që të ulim taksa mbi punën duke çuar nivelin e pagës së pataksuar në 500 mijë lekë. Ne nuk heqim dorë nga vizioni i Shqipërisë 2030 për ta transformuar në një vend eksportues neto të energjisë. Ne nuk jemi të pavarur ende nga pikëpamja energjitike. Ne do vazhdojmë të luftojmë për pavarësinë energjitike dhe transformimin e Shqipërisë në një eksportues neto. Kjo do përkojë investime, si ky i sotmi. Do nxjerrim maksimumin nga një konjukturë e re që na vendos në një pozicion të rëndësishëm në rajon përsa i përket gazit. Presim finalizimin e testeve për sasinë e gazit dhe naftës të zbuluar në zonën e Shpiragut që nëse gjërat do shkojnë si duket, do jetë një frymëmarrje e jashtëzakonshme për vendin tonë dhe dalja përfundimtare në një nivel tjetër e Shqipërisë. Së shpejti do kemi të reja nga ky sektor që hap një faqe të re për vendin dhe rajonin”, tha Rama.

/rtsh.al/