RTSH 24 Live

Sociale

Nis Konkursi i Gjuhës Shqipe me 11 mijë nxënës nga shkollat 9-vjeçare të gjithë vendit

17 orë para

Nis Konkursi i Gjuhës Shqipe me 11 mijë nxënës nga shkollat 9-vjeçare të gjithë vendit

Shkollat 9-vjeçare të vendit kanë nisur Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe.

Mbi 11 mijë nxënës bëhen pjesë e kësaj garë, ndërsa tema e sivjetshme është ’"Gjuha shqipe dhe komunikimi qytetar në epokën digjitale".

Ky konkurs vjen në vitin e tij të tretë pas një faze parapërgatitore të njohjes me kriteret e caktuara, duke vënë përballë dy skuadra me nga 5 nxënës secila.

"Për të realizuar konkursin jemi mbështetur fillimisht në përvojën e konkursit të zhvilluar vjet. Kemi hartuar një plan pune sipas fazave përkatëse të zhvillimit të konkursit. Puna ka qenë jo vetëm brenda orës së mësimit, por edhe më pas, në mënyrë që nxënësit të jenë të aftë të shpalosin dijenitë e tyre se sa e njohin, sa e zbatojnë, sa e flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe. Nxënësit na dhanë mundësinë të zgjedhim ekipin më të mirë nga të dyja klasat," shprehet mësuesja Afërdita Avdiko e shkollës 9-vjeçare "Kosova".

Mësuese Afërdita na tregon sesi është bërë përzgjedhja e nxënësve nëpër klasa, për të mbërritur në këtë fazë të parë.

"Kemi punuar fort për këtë gjë, edhe unë, edhe nxënësit bashkë. Na kanë ndihmuar edhe mësueset e tjera të lëndës së gjuhës shqipe. Koleget e mia na janë gjendur gjithmonë pranë. Puna me talentet zhvillohet në përditshmëri brenda klasës, madje e planifikuar edhe në përgatitjen ditore të mësuesit. Kësaj radhe ne dhamë mundësinë që të gjithë nxënësit të ishin pjesëmarrës dhe u zgjodhën ata që spikatën në rubrikat që kërkon konkursi," tregon mësuese Afërdita.

Përveç njohurive, nxënësit kanë mundësi të testojnë edhe aftësitë teknologjike.

Një përfaqësuese nga Zyra Arsimore Vendore ndoqi ecurinë e konkursit, ndërsa gara do të vijojë deri në përzgjedhjen e dy skuadrave finaliste, që do të garojnë për vendin e parë.

Me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e gjuhën shqipe, ky konkurs angazhon më shumë se 900 shkolla, ku nxënësit testojnë njohuritë gjuhësore, mendimin kritik dhe aftësinë e tyre për të komunikuar.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/