Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot nga Elbasani se, bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese nuk ka përfunduar.
“Gjykata Kushtetuese ka qenë dhe duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm në vend, siç është në çdo vend ku sundon shteti i së drejtës, pra në çdo vend demokratik. Presidenti ka bërë çdo përpjekje që Shqipëria të mos mbetet asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, por ka ende punë për të pasur një Gjykatë plotësisht funksionale dhe për Presidentin funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është një çështje thelbësore”, tha Meta.
“Uroj dhe shpresoj që të gjithë pavarësisht anëtarët e kësaj gjykate, anëtarët të cilët deri tani që janë bërë pjesë e saj, por edhe anëtarët që do bëhen pjesë në të ardhmen, të kenë përgjegjshmëri maksimale, për të kuptuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni, për shtetin e së drejtës, për të drejtat e qytetarëve tanë, për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur interesin kombëtar, për të mbrojtur interesin publik”, u shpreh Meta.
Ai nënvizoi se, “unë do të mbështes gjithmonë pavarësinë e këtij institucioni dhe pavarësinë e të gjithë institucioneve të tjera”.
I pyetur se cila ishte pengesa për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese deri tani, kush u tërhoq Presidenti apo qeveria, Meta tha se, “nuk ekziston asnjë tërheqje nga ana e Presidentit, përsa i takon kushtetutshmërisë së procesit. Ky proces ka pasur dhe ka mangësitë e tij nga pikëpamja e ligjit dhe nga shumë aspekte të tjera”.
Meta tha se, “çdo spekulim për të krahasuar situatën aktuale me atë kur ndodhi kriza apo përplasja midis Presidentit, në të kaluarën, me Parlamentin dhe ish-kreun e KED-së është e pavend, pasi ën atë rast kishim një përpjekje për të rrëmbyer në mënyrë kriminale dhe mafioze, kjo është e qartë dhe e pandryshuar, një anëtar të Gjykatës Kushtetuese që i takonte Presidentit të Republikës, për ta marrë mazhoranca për llogari të saj për të uzurpuar dhe kapur në mënyrë brutale Gjykatën Kushtetuese. Për këtë mendoj që Komisioni i Venecias ka folur tepër qartë se kush e shkaktoi këtë incident, i cili u bë i qëllimshëm”.
Sigurisht, shtoi Meta, “që Presidenti ka vepruar gjithmonë në mënyrën më të shpejtë të mundshme, gjithmonë kur KED-ja i ka propozuar për vakancat që i takojnë Presidentit. Presidenti ka qenë gjithmonë bashkëpunues. Është bllokuar 3 herë KED-ja, këtë e thotë qartë dhe Komisioni i Venecias. Është bllokuar nga mazhoranca në të kaluarën për qëllimet dhe planet e saj”.
“Me këtë rast”, theksoi Meta, “dua të falënderoj shumë Bundestagun, i cili prej kohësh vendosi si prioritet, apo si një kusht bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, gjë që më pas u ndoq edhe nga Parlamenti Europian dhe nga vendet anëtare”.
“Ky është një proces që vazhdon. Pra bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese nuk ka përfunduar. Por mbi të gjitha ne të gjithë duhet të ndjekim dhe të monitorojmë funksionimin e kësaj Gjykate në të ardhmen dhe vendimmarrjen e saj”, tha Meta.
“Ju e patë që në Kosovë pati një zhvillim shumë interesant dhe ne duhet të synojmë të kemi një Gjykatë të pavarur nga politika dhe nga çdo ndikim dhe që udhëhiqet vetëm nga interesi kombëtar dhe nga respektimi me besnikëri i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, theksoi Meta.