RTSH 24 Live

Sociale

Ngrihet Muzeu i parë Etnografik në Kukës

08/12/2022

Ngrihet Muzeu i parë Etnografik në Kukës

Prej një muaji në mjediset e shkollës  së bashkuar “Qazim Shehu”, për të gjithë nxënësit, prindërit, banorët e zonës, por jo vetëm, mund të vizitohet Muzeu i parë Etnografik.

I ngritur në kuadër të 100 vjetorit të çeljes së kësaj shkolle,  muzeu  përfaqëson më së miri kulturën dhe historinë e zonës së Lumës.

Muzeu Etnografik i shkollës së Shtiqnit  ka një koleksion prej 100 objektesh  të mbledhura nga kjo zonë, ku vlen të theksohet se janë trashëguar brez pas brezi siç është mbështjellsa, kostumi i burrave etj., që janë ruajtur origjinale dhe janë shprehje e qartë e identitetit të Lumës.

Elemente si vorba, qypat apo dhe  qerepi, janë përdorur para 120 vitesh ndërkohë sot ruhen në këtë muze, ku, sipas drejtorit të shkollës, do të punohet edhe më shumë për pasurimin e këtyre elementëve, që në të ardhmen të jenë  nxënësit ata që do ta përcjellin ndër breza.

22 tetori 1922, mbetet një nga datat më të rëndësishëm për arsimin në krahinën e Lumës.

Në këtë datë u hap shkolla e parë shqipe në Shtiqën me kontributin e madh që dhanë Bajram Curri, Hoxhë  Mehmeti dhe mësuesi i parë i kësaj shkolle, Qazim Bakalli.

/rtsh.al/