RTSH 24 Live

Kosova

Ndizen 1133 qirinj në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, Albin Kurti: Kosova s’do t’i harrojë kurrë

17/02/2023

Ndizen 1133 qirinj në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, Albin Kurti: Kosova s’do t’i harrojë kurrë

Në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës,  para Teatrit Kombëtar të Kosovës janë ndezur 1133 qirinj për fëmijët e vrarë gjatë luftës.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, e zyrtarë të tjerë shtetërorë. Kryeministri Kurti u tha fëmijëve të pranishëm se tha se ata janë shpresa e Kosovës.

Në fjalën e tij, Albin Kurti ka theksuar se pavarësisht humbjeve dhe dhimbjeve, shqiptarët e Kosovës janë të gjithë bashkë.

“Pavarësisht humbjeve, vuajtjeve dhe dhimbjeve tona, ne jemi bashkë. Ka shpresë për vendin tonë dhe kjo shpresë jeni ju fëmijët e Kosovës. Ju po e mbani nga një qiri në duart tuaja në këtë mbrëmje dhe gjithsej i kemi 1133 qirinj sepse secili prej këtyre qirinjve tregon për një fëmijë që është vrarë gjatë luftës e nuk është në mesin tonë”, u shpreh Kurti.

Ndërsa shtoi se fëmijët e vrarë në luftë Kosova s’do t’i harrojë asnjëherë.

 “Ne ata i kujtojmë dhe kurrë nuk do t’i harrojmë. Sakrifica e popullit tonë është e madhe. Plagët e luftës janë të thella. Dhimbja është e pafund, por gëzimi e lumturia juaj nuk ka pikëllim që nuk e mund. Kur ju shohim juve, zemra në bëhet mal”.

Në fund, kreu i ekzekutivit pati edhe një porosi për fëmijët.

“Ju duhet të mësoni sa më shumë e sa më mirë në bankat e shkollës. Ta duani nënën dhe babanë, mësuesen e arsimtarët. Ta doni njëri-tjetrin, të luani bashkë dhe të mësoni sa më shumë”, tha Kurti.

/rtsh.al/