RTSH 24 Live

Politikë

Ndërtimet pa leje, Bardhi: Rama gënjen, duhen ndëshkuar nga drejtësia

29/09/2022

Ndërtimet pa leje, Bardhi: Rama gënjen, duhen ndëshkuar nga drejtësia

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar pak pas lajmit të dhënë nga Kryeministri Edi Rama se shumë shpejt Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” do të vendosen në hapësirë dhe do i jepet fund ndërtimeve pa leje. Bardhi ka deklaruar se Rama gënjen pasi në thelb të qeverisjes së tij ka mosfunksionimin e ligjit.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Bardhi shkruan se Rama në vend që të çonte në burg oligarkët, nxorri vendim për të shpëtuar kryeortakun e tij në biznes.

“Edi Rama ka dy ditë që gënjen pa u skuqur dhe pa u zverdhur për çështjen e kateve shtesë pa lejeve të oligarkëve të tij. Nuk është as ai, as qeveria e tij që e ngritën këtë problem, i cili në thelb ka mosfunksionimin e ligjit njësoj për të gjithë. Këtë çështje e ngriti opozita në Parlament në 14 Korrik, kohë përpara se Edi Rama të niste aksionin propagandistik për legalizimin e kateve pa leje të klientëve të tij dhe marrjen e tyre në mbrojtje shtetërore.

Në videon më poshtë, i kam thënë Edi Ramës që ul kokën para oligarkëve, sepse janë bashkë në një anije për te vjedhur shqiptarët. E mbajta këtë fjalim, pasi kisha nisur që në prill të merrja informacione zyrtare për paligjshmërinë e tmerrshme me kullat në mes të Tiranës dhe katet shtesë pa leje të tyre me bekimin e Edi Ramës.

Në vend të zbatonte ligjin, të çonte në burg oligarkët dhe t’u sekuestronte katet e paligjshme, Edi Rama nxori një vendim për të shpëtuar së pari kryeortakun e tij në biznes, me të cilin ndan kazinotë, grataçelat, autostradat, portet, dhe aeroportet e Shqipërisë. Pasi hapi rrugë për legalizimin e kateve pa leje dhe pasi unë denoncova në Kuvend skandalin e kateve pa leje dhe uljen e kokës së Edi Ramës para oligarkëve, nisi shoë siç e njohim tashmë. Edi Rama nuk gënjen dot më njeri. Ai është paligjshmëria vetë dhe si i tillë duhet ndëshkuar nga drejtësia, për favorizim të paligjshmërisë dhe shkeljen e barazisë përpara ligjit”, shkruan Bardhi.

/rtsh.al/