Ndërprerja e energjisë elektrike ditën e premte (21 qershor) në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe pjesërisht në Kroaci, ka bërë që Komisioni Europian të paralajmërojë një hetim ndërkombëtar.
Si shkak kryesor, deri më tani, për këtë ndërprerje të energjisë është dhënë ngarkesa e madhe dhe rritja e konsumit ditor dhe temperaturave të larta. Ndërkohë që do të jetë hetimi nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji, që do të përcaktojë dhe shkaqet nga kanë nisur problemet.
Ky rrjet njoftoi se është duke mbledhur të gjitha të dhënat teknike relevante për këtë ngjarje nga OST-të e prekura dhe se do të ofrojë më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur.
“Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO-E do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh”, njofton ENTSO.
Ndërkohë që zyrtarët kroatë, zyrtarisht njoftuan se kolapsi mund të kishte goditur të gjithë Evropën, sepse sistemet energjetike janë të lidhura dhe se është e papërgjegjshme të bëhen supozime para hetimit zyrtar nga organet evropiane, i cili zakonisht zgjat gjashtë muaj. Ministri i Energjisë i Malit të Zi, Sasha Mujoviç, në daljen e tij theksoi se të fajësosh vendi e tij për këtë do të ishte jashtëzakonisht e gabuar.
Në Shqipëri, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se ndërprerja zgjati rreth gjysmë ore në gjithë vendin dhe konfirmoi se, sipas një analize fillestare, temperaturat e larta dhe sistemi i ngarkuar i transmetimit ishin shkaktarë. Por Ministrja Balluku shtoi se Shqipëria vazhdon të jetë zonë me rrezikshmëri të lartë, sepse volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë të mëdha dhe temperaturat do të mbeten në nivele rekord edhe ditët në vijim.
/rtsh.al/