Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me debatin në Kuvend që solli mosprania e tij për të zhvilluar interpelancën e thirrur nga opozita në lidhje me çështjen McGonigal. Në një postim në Twitter, Rama i konsideron “shpifje ekstreme” akuzat e opozitës, teksa shkruan se synimi i tyre është manipulimi i opinionit publik me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane.
“Një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë thekson se drejtësia amerikane nuk ka asnjë akuzë mbi ato që pretendon opozita, se ish-zyrtari i FBI është korruptuar nga ai.
“Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike, mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim. Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë”, përfundon Rama postimin e tij.
Opozita ka kërkuar interpelancë me Ramën në lidhje me çështjen e ish-zyrtarit të FBI, duke mospranuar zhvillimin e saj me të deleguarën e kryeministrit, Ministren Elisa Spiropali. Në shenjë proteste, opozita bllokoi foltoren, duke detyruar kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, të ndërpriste dy herë seancën plenare.
/rtsh.al/