Policia ka shpallur në kërkim rektoren e universiteti të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ndërsa ka proceduar penalisht një pedagoge.
Në njoftimin e saj policia e Shkodrës bën të ditur se ndërsa vijon puna për kapjen e rektores 59-vjeçares ka nisur procedimi në gjendje të lirë të pedagoges 36 vjeçare.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër, menjëherë pas publikimit në emisionin investigativ "Stop", të një rasti korrupsioni dhe shpërdorimi detyre, të kryer në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasen S. G., 59 vjeçe, banuese në Shkodër, me detyrë rektore e universitetit “Luigj Gurakuqi”. Vijon puna për kapjen e 59-vjeçares”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Teksa i referohet pamjeve filmike të transmetuara në emisionin investigativ "Stop", policia shpjegon se “këto shtetase shfaqen duke iu marrë studentëve të universitetit, shuma parash, në këmbim të favorizimit të tyre nëpërmjet notave.”
/rtsh.al/