RTSH 24 Live

Kulturë

Modernizoi pikturën shqiptare, ndahet nga jeta mjeshtri i madh i pikturës Sali Shijaku

24/09/2022

Modernizoi pikturën shqiptare, ndahet nga jeta mjeshtri i madh i pikturës Sali Shijaku
Mjeshtri i madh i pikturës Sali Shijaku

Ditë e trishtë për artin shqiptar, ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijaku. Shijaku ishte një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili edhe në komunizëm arriti të krijonte vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965 -1980. Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve një figurëshe në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.

Ai prej ditësh ishte i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa lajmin për ndarjen e tij nga jeta, e njoftoi i biri i tij, Orges Shijaku.

“Me Hidhërim të thellë  ju njoftojmë për Humbjen nga kjo jete të Babait tonë Piktorit të Popullit Nderit te Kombit Shqiptar Sali Shijaku .I Lehtë të qofte dheu .I kushtove gjithë jetën Artit dhe Shqipërisë”, shkruan djali i tij.

Mjeshtri i madh i pikturës Sali Shijaku

Sali Shijaku lindi më 12.03.1933 në Tiran. Pasi kreu Liceun Artistik "Jordan Misja", të cilin e mbaroi më 1952-shin, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve "I.E.Rjepin" në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61). E filloi krijimtarinë artistike në fillimin e viteve ‘60. Ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.

Punimet e Sali Shijakut, pamje nga vila e tij

Ai u fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: "Portret vajze", "Kostum tiranseje" duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative etj.

Vepra e "Piktorit të Popullit", Sali Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura, ndërsa tabloja "Mic Sokoli", e shkëputi artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh njëfigurëshe. Figurat e pikturuara të përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun.

Punimet e Sali Shijakut, pamje nga vila e tij

Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare. Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime. Në vitin 1969 ai mori titullin "Artist i Merituar" dhe në vitin 1979 "Piktor i Popullit". Më 2004-ën ai u nderua me titullin "Nderi i Qarkut të Tiranës".

Në galerinë e piktorit të madh Shijaku numërohen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime, 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.  

/rtsh.al/