Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla ka dhënë dorëheqje nga posti i ministres si dhe nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë ajo në një status në rrjetet sociale. Ish ministrja shkruan se e ndjen obligim moral të jep dorëheqje pas videove ku pretendohet se se janë bërë manipulime me vota. "Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linqimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj meje dhe familjes sime, e konsideroj obligim moral dhe gjënë më të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia”- ka shkruar Meliza Haradinaj – Stublla në statusin e saj në Facebook.
Dorëheqja e saj pasoi vendimin e një dite më parë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e votave të hedhura me kusht dhe atyre nga diaspora për kandidatët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Vendimi që ishte pjesë e trajtimit të mbi 200 ankesave, pasoi pretendimin e kandidates së kësaj partie Florentina Gjergjaj, sipas së cilës “kandidates Meliza Haradinaj-Stublla, në mënyrë artificiale i është rritur numri i votave nga personat që kanë futur të dhënat në sistem apo nga personat kompetentë, të cilët kanë bërë numërimin dhe rinumërimin e votave”.
Në arsyetimin e vendimit, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa i është referuar edhe një video materiali të publikuar nga gazeta në internet Insajderi, ku tre persona dëgjohen duke diskutuar lidhur me “manipulimin e votave” në Qendrën për Numërimin e tyre dhe përgjatë diskutimeve, përmendet edhe emri i bashkëshortit të zonjës Haradinaj-Stublla, të ketë ofruar para në shkëmbim.