RTSH 24 Live

Politikë

Meta replikon me Kryemadhin: Nepotizmi ka dëmtuar Partinë e Lirisë

19/04/2024

Meta replikon me Kryemadhin: Nepotizmi ka dëmtuar Partinë e Lirisë

Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se forcën politike që ai drejton e ka dëmtuar nepotizmi.

Sipas tij, nuk duhen bërë partia instrument biznesi për familje të caktuara, përfshirë këtu familjen e kryetarit të PL-së. Meta deklaroi se organizata e Rinisë së PL-së është atrofizuar tërësisht nga nepotizmi.

“Ka 100 anëtarë LRI-ja në Komitetin Drejtues dhe thirri sot nëse i gjen 40 veta. Ka më shumë këshilltarë të zgjedhur në këshillat bashkiake në bazë edhe të marrëveshjes me Partinë Demokratike të të madhërishmit, Sali Berisha. Ka më shumë këshilltarë se sa anëtarë dhe kjo është pasojë e nepotizmit, mbylljes. Monika është pro amerikane e pa epur dhe ne kemi bashkëpunuar me institutin demokratik amerikan. Në 27 prill ekzekutojmë nepotizmin jo njerëzit. Ekzekutojmë fenomenin sepse këtu kemi shumë raste të nepotizmit. Si do t’i shtojmë 3 miliardë euro në vit arkës së shtetit, përveç atyre që ikin nga hajdutëritë e Erion Velisë dhe Edi Ramës dhe bandës së tyre, nëse ne nuk çrrënjosim nepotizmin në Dogana dhe Tatime? Janë 200 raste të verifikuara me lidhje familjare. Bravo i qoftë mendimit ndryshe për Rama-reformën. Kulmi i nepotizmit është në drejtësi. Në një prokurori 7 veta nga një familje”, tha Meta. 

Meta u shpreh i bindur se në kryesinë e Partisë së Lirisë nuk do të ketë më dy njerëz nga e njëjta familje. Sipas tij, do jetë vota ajo që do të vendosë kush do të qëndrojë.

“Para statutit janë të gjithë barabartë, edhe Ilir Meta. Nuk mund të ketë dy njerëz në një kryesi nga një familje. Kjo nuk do të thotë se u dashka të ikë Monika. Mund të ikë Ilir Meta. Kjo zgjidhet me votim. Ky rast është edhe për raste të tjera që kemi në Komitet Drejtues”, tha Meta.

Kreu i PL-së, ndër të tjera, deklaroi se ka pasur përpjekje të qarta për të sabotuar edhe kuorumin e mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar.

“Djegia e mandateve ishte krim, përveç Erisa Xhixhos, e cila nuk ka asnjë përgjegjësi. Se po të kishte pasur përgjegjësi nuk do të ishte kandidate për zv/presidente e Ilir Metës. Të gjithë të tjerët u justifikuan me idenë se nuk dërguan një mesazh tek Ilir Meta, si president që kishte dalë kundër djegies së mandateve, me idenë: Burrë e grua, grua e burrë. E pra ja çfarë solli nepotizmi.”, tha Meta.

vijon