RTSH 24 Live

Botë

Lufta në Liban, OKB thirrje për de-përshkallëzim: Ka rrezik për pasoja shkatërruese

4 orë para

Lufta në Liban, OKB thirrje për de-përshkallëzim: Ka rrezik për pasoja shkatërruese

Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) ka shprehur shqetësimin për sigurinë e civilëve në Libanin jugor. Kreu i misionit, gjenerali Aroldo Lázaro, ka kontaktuar të dyja palët, ato libaneze dhe izraelite, duke theksuar nevojën urgjente për de-përshkallëzimin.

Çdo përshkallëzim i mëtejshëm i kësaj situate të rrezikshme mund të ketë pasoja të gjera dhe shkatërruese”, thuhet në deklaratë. UNIFIL, e cila është një forcë paqeruajtëse e OKB-së, paralajmëron se sulmet ndaj civilëve shkelin ligjin ndërkombëtar dhe mund të përbëjnë krime lufte.

Avionët izraelitë kanë filluar të intensifikojnë sulmet e tyre në Luginën Bekaa në Libanin verilindor, ndërsa ushtria izraelite ka lëshuar një paralajmërim, duke u thënë civilëve të lënë shtëpitë e tyre.

Lugina Bekaa konsiderohet një bastion i Hezbollahut dhe është goditur nga Izraeli në muajt e fundit, por sulmet këtë herë duken shumë më të rënda.

Nga ana e tyre, autoritetet libaneze kanë përditësuar numrin e të vdekurve nga sulmet e sotme ajrore izraelite, ku të paktën 274 njerëz janë vrarë, 21 prej të cilëve janë fëmijë.

Sipas ministrit të Shëndetësisë të Libanit, 1024 persona të tjerë janë plagosur në sulme.

/rtsh.al/