Kanceri i gjirit një nga sëmundjet më të shpeshta tek gratë dhe i dyti për nga numri i rasteve në popullatën shqiptare po njeh vetëm rritje. 744 raste të reja u diagnostikuan vitin e fundit me këtë sëmundje ndërsa rreth 200 gra e vajza humbën betejën me të.
Elbasani duket se ka edhe incidencën më të lartë në vend ndaj jo rastësisht autoritetet e shëndetit publik e nisën fushatën nga ky qytet.
“Dikur 1 në 10 gra diagnostikohej me këtë sëmundje ndërsa tani 1 në 8 gra e vajza. Incidenca në qytetin tonë është rritur“, tha onkologia në Elbasan.
Ndërkohë ministrja Koçiu bëri thirrje grave që të bëjnë mamografinë.
‘Jo më kot e nisëm nga Elbasani këtë fushatë pasi këtu shifrat nuk i kemi me vete. Po shohim që në këtë qytet kanceri i gjirit diagnostikohet në stade të vona. E ke vetë në dorë ta shmangësh rrezikun. Shko kontrollohu. Shko bëj mamografinë! Lëri për një moment punët, angazhimet dhe mendo vetëm për veten tënde! Çdo ditë nga data 1 deri në 31 Tetor, nga e hëna në të premten, nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës dhe të shtunën nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 2 të drekës, do t’ju mundësohen kontrolle, në spitalet apo qendrat pranë vendbanimit tuaj, të cilat ofrohen si gjithmonë falas“, tha ministrja.
Ndryshe nga vitet e shkuara çdo grua dhe vajzë tani do të ketë edhe një mesazh kujtese në llogarinë e saj në e-Albania për të lehtësuar planifikimin e vizitës diagnostikuese.
“Së pari, vajzat dhe gratë e moshës 30- 50 vjeç do të marrin një mesazh njoftuese në llogarinë e tyre në e-Albania, që do t’ju kujtojë dhe ftojë për të bërë ekzaminimet e nevojshme. Gratë 50-70 vjeç, do të marrin një mesazh njoftuese në llogarinë e tyre në e-Albania, që do t’ju kujtojë dhe ftojë për të bërë periodikisht mamografinë e radhës”, shtoi ministrja.
Për vendbanimet në zona të thella do të ofrohet mamografia e lëvizshme sipas një kalendari planifikimesh. Një vit më pare u realizuan rreth 25 mijë mamografi, nga të cilat, 5 mijë janë ekzaminime nga njësitë e mamografive të lëvizshme dhe 11 mijë prej tyre janë kryer në muajin tetor.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/