RTSH 24 Live

Kosovë

Lirohet nga burgu, Gjykata në Prishtinë shpall Bedri Krasniqin të pafajshëm për mungesë provash

13/09/2023

Lirohet nga burgu, Gjykata në Prishtinë shpall Bedri Krasniqin të pafajshëm për mungesë provash

Bedri Krasniqi, i akuzuar për vrasjen e një polici të Kosovës dhe një të UNMIK-ut, është shpallur i pafajshëm dhe është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Gjykata Themelore në Prishtinë erdhi në përfundim se nuk ka prova të mjaftueshme se i dyshuari kishte kryer veprën penale.

Ndërsa, Alban Dezdari u dënua me 8 vjet burgim për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”, në të cilin dënim do të llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim.

Përpos Krasniqit dhe Dezdarit, të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri mirëpo më 2017 Gjykata Supreme nxori vendim për lirimin e tyre pasi të njëjtit ishin gjykuar më herët për veprën e njëjtë dhe se ka një vendim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke i marrë jetën dy policëve të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.

Gazetar A. Mata

/RTSH/