RTSH 24 Live

Botë

Lideri i opozitës në Venezuelë kërkon azil politik në Spanjë

08/09/2024

Lideri i opozitës në Venezuelë kërkon azil politik në Spanjë

Lideri i opozitës në Venezuelë, njëherësh kandidati presidencial i saj, Edmundo González është larguar nga vendi duke kërkuar azil në Spanjë. Kështu ka deklaruar qeveria e Venezuelës

González ka qëndruar i fshehur për disa kohë, pasi ndaj tij u lëshua një urdhër arresti kur opozita kundërshtoi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të korrikut, në të cilat Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) i kontrolluar nga qeveria shpalli fitues Nicolás Maduro.

Opozita pretendoi se kishte prova që González kishte fituar me një diferencë të konsiderueshme. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka akuzuar González për komplot dhe falsifikim dokumentesh, ndër të tjera "krime të rënda".

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, tha në një postim në mediat sociale se pasi kërkoi "vullnetarisht" strehim në ambasadën spanjolle në Karakas disa ditë më parë, Gonzalez i kërkoi qeverisë spanjolle azil politik.

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, José Manuel Albares tha se González kishte ikur nga vendi me kërkesën e tij me një aeroplan të Forcave Ajrore Spanjolle.

Ndërsa ai është larguar, forcat e sigurisë në Venezuelë kanë rrethuar ambasadën e Argjentinës në kryeqytetin Karakas .

Gjashtë kundërshtarë politikë të presidentit Maduro janë strehuar atje. Ministria e Jashtme e vendit pretendoi se brenda saj po komplotoheshin akte terroriste.

Venezuela ka qenë në një krizë politike që kur autoritetet shpallën presidentin Maduro fitues të zgjedhjeve të 28 korrikut.

Një numër vendesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe disa vende të Amerikës Latine, kanë refuzuar të njohin presidentin Maduro si fitues pa publikuar të dhënat e detajuara të votimit nga Karakasi.

Qeveria e Presidentit Maduro ka arrestuar më shumë se 2,400 njerëz që nga mbajtja e zgjedhjeve, ndërsa OKB e ka quajtur këtë "një klimë frike".

/rtsh.al/