RTSH 24 Live

Politikë

Kushtetuesja kthen në Kuvend çështjen e mandatit të Xhaçkës, shpall antikushtetues raportin e PS dhe PD

23/01/2023

Kushtetuesja kthen në Kuvend çështjen e mandatit të Xhaçkës, shpall antikushtetues raportin e PS dhe PD

Çështja e mandatit të deputetes së PS, njëkohësisht edhe ministre e Jashtme, Olta Xhaçka, i rikthehet sërish Kuvendit. Ky ka qenë thelbi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që çështja e mandatit të Xhaçkës të kthehet sërish në Kuvend.

Kushtetuesja me këtë rast ka shfuqizuar edhe vendimet e Kuvendit, përkatësisht raportet e PS dhe PD, “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, si dhe atë “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, duke i cilësuar ato “si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.” 

Qëndrimi i opozitës

Opozita argumentoi në kërkesën e saj se mandati i deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka është i pavlefshëm për shkak se bashkëshorti i saj ka përfituar pasuri publike me shpalljen si investitor strategjik nga Komiteti i drejtuar prej kryeministrit Rama.

Sipas raportit të opozitës, bashkëshorti i ministres Xhaçka me anë të kompanisë se tij ka marrë status investitori strategjik nga qeveria në përdorim për 30 vjet në një plazh në Dhërmi, si dhe lejen për ndërtimin e një hoteli me 5 yje në këtë sipërfaqe.

Duke iu referuar ligjit për konfliktin e interesit, deputetët demokratë sollën si argument se përfitimet nga pasuria publike e bashkëshortit te Xhaçkës janë njësoj sikur të ishin të vetë ministres. Për këtë arsye, ata i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të vendosë për heqjen e mandatit të deputetes, Olta Xhaçka.

Qëndrimi i shumicës

Ndërsa sipas shumicës, deputetja nuk ka asnjë papajturshmëri me mandatin e deputetit, pasi nuk ka asnjë përfitim nga fondet publike. Sipas tyre, vendimi i Këshillit të Ministrave është për një individ tjetër dhe jo për deputeten, Olta Xhaçka.

“Kërkesa nuk plotëson kriteret formale për t’u paraqitur në Gjykatën Kushtetuese dhe se është paraqitur jashtë afateve ligjore”,- u shpreh Genci Çifligu, avokat i Olta Xhaçkës.

Edhe Erind Merkuri, përfaqësuesi i Kuvendit, kërkoi rrëzimin e kësaj kërkesa pasi, sipas tij, “deputetja nuk ka kryer veprimtari të tjera, por i takojnë personave të tjerë”.

“Deputetja nuk ka kryer veprimtari të tjera, por ia takojnë personave të tjerë. Nuk mund të përfshihet aktiviteti i familjarëve si veprimet e deputetit. Ndodhur në këto kushte kërkojmë rrëzimin e kërkesës”, u shpreh ai.

Vendimi i Kushtetueses

Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

  1. Pranimin e kërkesës.
  2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.
  3. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese", thuhet në vendim. 

/rtsh.al/