Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Serbia është e pa interesuar për integrimin në Bashkimin Evropian pasi ka qëllime hegjemonike.
Sipas Kurtit, teksa ai ndodhej në Bruksel për bisedime për arritjen e marrëveshjeve me Vuçiçin, Serbia kishte plane ushtarake ndaj Kosovës.
“Pas sulmit terrorist të Serbisë ndaj Kosovës por edhe marrëdhënies së tyre të hapur dhe bashkëpunimit të tyre me Rusinë. Unë kam qenë në tavolinën e Brukselit duke folur për marrëveshjet për të ardhmen, ndërkaq Serbia po punonte për plane ushtarake për aneksimin e vendit tonë.
Kjo tregon se fqinji ynë s’është e interesuar për integrim në BE, por për qëllime hegjemonike. Është me rëndësi pas sulmit mos të vazhdojmë thuajse asgjë s’ka ndodhur, por të gjithë autorët duhet të dënohen për pjesëmarrjen në këtë sulm terrorist që erdhi nga kufiri verior në Republikën e Kosovës”, u shpreh Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka theksuar gjithashtu se vendi i tij nuk duhet të mbahet peng, por atyre të cilëve nuk kanë qëllime të tilla.
“Kosova ishte e para që ratifikoi tri marrëveshjet në Kuvend këtë shkurt duke treguar zotimin dhe përkushtimin tonë ndaj procesit.
Që nga nëntori i vitit të kaluar, kemi hartuar udhëzime administrative, kemi emëruar përfaqësues në komisione të përbashkëta. 13 ditë deri në Samit duhet të vëmë re se jo të gjitha vendet i kanë ratifikuar marrëveshjet.
Është keq që Bosnja -Hercegovina është përcaktuar t’i ratifikojë 2 nga 3 pikat, duke përjashtuar lëvizjen e lirisë. Nga 1 janari 2024 Kosova do të lëviz lirshëm në BE, por ende është e pasigurt nëse Kosova dhe Bosnja-Hercegovina do të mund të lëvizin te njëra tjetra”, ka thënë Kurti.
Kurti është shprehur se pret që “siguria për Kosovën e sulmuar dhe ndëshkimi për sulmuesit” të jenë çështjet të cilat do të diskutohen sot në Parlamentin Evropian. Ai e tha në cilësinë e pjesëmarrësit në tryezën e procesit të Berlinit.
“Presim që të ndodh ndëshkimi për sulmuesit, në këtë rast Serbisë që e mbështeti ushtarakisht, financiarisht, politikisht, zyrtarisht atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit. Por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi i të gjithë atyre që po ndiqen sepse ikën nga vendi i krimit.
Më lejoni të përkujtoj se me datën 26 qershor në Kuvendin e Kosovës ne i kemi shpallur dy organizata terroriste, ‘Mbrojtjen civile’ dhe ‘Brigadën veriore’, të cilat kanë vepruar dhe veprojnë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale”, ka nënëvizuar Kurti.