RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti: Serbia vazhdon të minojë paqen në Ballkanin Perëndimor, duke shkelur sovranitetin e fqinjëve të saj

5 orë para

Kurti: Serbia vazhdon të minojë paqen në Ballkanin Perëndimor, duke shkelur sovranitetin e fqinjëve të saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Forumit të Varshavës për Siguri, me temën “Fokusohuni në Ballkanin Perëndimor: lidhja e Gjeopolitikës dhe Integrimit Evropian”, tha se Serbia vazhdon të kërcënojë pa ndonjë pendim, dhe të minojë paqen në Ballkanin Perëndimor.

Kurti fillimisht tha se është shumë i lumtur dhe i nderuar që është në Forumin e Sigurisë në Varshavë.

“Është hera ime e parë në këtë vend të bukur, me një histori të pasur dhe mbresëlënëse që e admiroj thellësisht. Nuk mund të mos vërej se po mblidhemi këtu së bashku në një ditë të veçantë: 100-vjetorin e ditëlindjes së ish-presidentit amerikan Jimmy Carter. Është e vështirë të mendosh për një mjedis më të përshtatshëm se ky, Forumi i Sigurisë së Varshavës, në të cilin të festojmë atë që ne mund t’i referohemi tani si ‘njëqindvjetori i Karterit’”, tha Kurti.

Kurti tha se është mirënjohës për 25 vjetorin e Polonisë të vendosjes së trupave në misionin e NATO-s KFOR në Kosovë. Ky ishte misioni i parë ushtarak ndërkombëtar i Polonisë me NATO-n.

“Kontributi i saj jo vetëm që ndihmoi në çlirimin e Kosovës, por edhe na ka mundësuar të bëhemi forcë për paqe dhe stabilitet. Më 27 maj, Kosova u bë anëtare e asociiuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, duke i hapur derën popullit tonë për t’u kthyer dhe për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave demokratike përkrah aleatëve tanë. Sot, siguria rajonale në Evropë është siguri kolektive për Evropën. Ajo që ndodh në Ukrainë apo Poloni, në vendet e Partneritetit Lindor dhe në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, prek jo vetëm kontinentin, por gjithë botën”, tha kryeministri.

Kurti tha se “Për Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Kosovën, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë. Kjo, krahas aftësive të mjaftueshme mbrojtëse dhe marrëveshjeve dypalëshe të sigurisë me aleatët tanë më të afërt, formon një ombrellë solide sigurie. Ashtu si Rusia, NATO dhe BE kanë një histori zgjerimi. Por ndryshe nga Rusia, zgjerimi i tyre ka ecur në një mënyrë paqësore dhe demokratike. Projektet përkatëse të zgjerimit të BE-së dhe NATO-s nuk janë pa lidhje; përkundrazi, ato shkojnë dorë për dore dhe shërbejnë për të mbrojtur dhe promovuar sigurinë e të gjithë kontinentit evropian – dhe bashkë me të, të botës. Këtë të vërtetë e vërteton edhe sjellja e vetë vendeve të BE-së dhe NATO-s. Anëtarësimet e këtyre dy organizatave mbivendosen, por jo plotësisht”, tha ai.

Kurti shtoi se “Serbia nuk ka ndonjë tërheqje në kuptimin e ngacmimit të secilit vend e duke përfshirë edhe shtetet e NATO-s, Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut, por edhe Kosovën, që ende nuk është integruar në NATO, por që ka NATO-n e integruar brenda vetes”.

“Serbia vazhdon të kërcënojë pa ndonjë pendim, Serbia minon paqen në Ballkanin Perëndimor duke shkelur integritetin dhe sovranitetin e fqinjëve të saj duke përfshirë edhe Kosovën”, tha Kurti.

Tutje Kurti tha se “vitin e kaluar disa agresione kanë kulmuar me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023. Militantë të armatosur nga Serbia me miliona euro armatim hyn në Banjskë nga Serbia duke u angazhuar prej një manastiri ortodoks, duke theksuar se synimi ishte që të replikohej operacioni i vitit 2014 ne Donbas, dhe sigurisht se kanë pasur edhe artileri për të vepruar.

“Me 24 shtator policia jo vetëm që ka mbrojtur Kosovën por ka parandaluar edhe hapjen e një konflikti të ri të armatosur të mbështetur nga Serbia dhe Rusia që do të mund të kishte pasoja të rënda ndërkombëtare”, tha Kurti.

 

/rtsh.al/