Ndër kulturat e mbjella në fushën e Maliqit është dhe ajo e duhanit, një kulturë e vjetër bujqësore, që ruhet edhe sot në disa fshatra.
Kultivimi i tij ka procedurë, nga mbjellja e farës deri tek vjelja, e cila nis rreth muajit korrik dhe përfundon në shtator.
"Kultura e duhanit është kulturë industriale. Ajo kërkon toka të kulluara, toka të kuqërremta dhe jo shumë ujë. Është një kulturë e përhapur në njësinë e Libonikut në fshatrat Klos, Pocest dhe në zonën e Podgories. Aktualisht kultivohen rreth 10 ha me këtë bimë," thotë Arben Dulellari, drejtor i bujqësisë dhe mbrojtjes së konsumatorit në bashkinë e Maliqit.
Procedura që kërkon kujdes të veçantë është tharja e duhanit, e cila bëhet në sera të ndërtuara enkas për këtë punë.
Çmimi i shitjes së prodhimit është i kënaqshëm dhe për këtë Dulellari thotë se do të jetë një shtysë për të shtuar sipërfaqet me duhan.
"1 kg duhan i thatë shitet me rreth 550–600 lekë. Duhet theksuar se është një kulturë fitimprurëse, por fermerët duhet të orientohen për ta zhvilluar, për të shtuar sipërfaqet," thekson Dulellari.
Fusha e Maliqit mbulon një nga hapësirat më të mëdha në vendin tonë, ku kultivohen një sërë kulturash bujqësore.
Gazetare: Geralda Sali
/rtsh.al/