RTSH 24 Live

Bota

Kryeministrja e parë femër e Suedisë jep dorëheqjen disa orë pasi mori detyrën

25/11/2021

Kryeministrja e parë femër e Suedisë jep dorëheqjen disa orë pasi mori detyrën

Kryeministrja e parë femër e Suedisë, Magdalena Andersson, dha dorëheqjen disa orë pasi mori detyrën gjatë ditës së sotme.

Kryetarja e Partisë Socialdemokrate Andersson u zgjodh kryeministrja e parë femër e Suedisë duke marrë votëbesimin në parlament në mëngjes.

Më vonë, Partia e Gjelbër njoftoi tërheqjen nga qeveria e koalicionit pasi buxheti i paraqitur nga opozita që përfshin Demokratët Suedezë të krahut të djathtë u miratua nga parlamenti.

Pasi partneri i saj i koalicionit u largua nga qeveria, Andersson njoftoi dorëheqjen e saj, me çka kryeministria e saj zgjati shtatë orë.

Në një deklaratë, bashkëkryetari i Partisë së Gjelbër Per Bolund tha se nuk duan të drejtojnë vendin me buxhetin e përgatitur nga partitë e djathta dhe për këtë arsye zgjodhën të tërhiqen nga koalicioni.

Më 10 nëntor, kryeministri i atëhershëm Stefan Lofven dha dorëheqjen, duke i hapur rrugën ministres së atëhershme të Financave Andersson për t’u bërë kryeministre.

Lofven gjithashtu dha dorëheqjen si lider i Socialdemokratëve dhe Andersson u zgjodh kryetare e re e partisë./AA