RTSH 24 Live

Politikë

Kreu i opozitës Basha: Votimet e 25 prillit ishin një masakër elektorale! Betejë në të gjitha frontet për rrëzimin e regjimit Rama-Doshi-Rakipi

04/05/2021

Kreu i opozitës Basha: Votimet e 25 prillit ishin një masakër elektorale! Betejë në të gjitha frontet për rrëzimin e regjimit Rama-Doshi-Rakipi

Më shumë se një javë nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 25, PD e cila mbeti për të tretën herë në opozitë po konfiguron gradualisht qëndrimin e saj.
Zoti Basha tha për gazetarët se 25 prilli ishte një masakër elektorale, viktimë e së cilës nuk ishte PD, por qytetarët shqiptarë. "Rezultati ynë flet qartë. Besimi, shpresa që zgjuam dhe bashkuam pavarësisht prej rolit të paprecedent të krimit të organizuar, parave të pista të krimit dhe siç tha raporti paraprak i OSBE-ODIHR, shkrirjes së vijave ndarëse midis partisë dhe shtetit, nuk ja doli dot të zvogëlonte apo të ulte përmasat e një bashkimi të jashtëzakonshëm të shqiptarëve" tha zoti Basha.
Kreu i PD tha se opozita po vazhdon mbledhjen dhe faktimin e manipulimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit, ndërsa shtroi pyetjet: "Si i morën votat tre deputetët e Tom Doshit të listës së zezë të DASH, si i mori votat Vangjush Dako i listës së zezë të DASH bashkë me tre përfaqësuesit e krimit në Durrës, Jyrgis Çyrben e kokainës dhe Plarent Dervishit, Rrahman Rrajën me kokainën dhe klanin e tij kriminal dhe Ilir Ndraxhi i Avdylajve? Si i morën votat djali dhe dhëndri i Aqif Rakipit, një nga familjet e njohura kriminale të Peqinit? Si i mori votat Aurora Mara e Gent Marës, person në kërkim ndërkombëtar për trafik droge? A mund të pranojë Shqipëria që sot nga njëra anë me trashëgiminë e anëtarësimit në NATO gjatë kohës që qeveriste PD, mban me krenari këtë peshë dhe nga tjetër shkatërron themelet e demokracisë, viktimat e masakrës elektorale janë qytetarët shqiptarë. Detyra jonë është të qëndrojmë fort, dhe të luftojmë fort për rikthimin e demokracisë në vend. Beteja do të bëhet në të gjitha frontet dhe përfundimi do të jetë i qartë, rrëzimi i regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe kthimi i Shqipërisë shqiptarëve" tha zoti Basha.
Kreu i opozitës shqiptare përshëndeti nisjen e stërvitjes  “Defender 21”, të cilën e cilësoi edhe një mesazh të qartë për këdo që ëndërron kthimin e Ballkanin në fuçi baruti apo teatër lojërash territoriale. "Një paralajmërim i qartë për despotët e Ballkanit se kjo Aleancë nuk është një aleancë ushtarako-politike por politiko-ushtarake në bazë të cilës qëndron demokracia, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe sundimi i ligjit" tha zoti Basha.