RTSH 24 Live

Kosova

Kosovë, mbi 1700 pacientë në pritje për ndërhyrje në vena në Kirurgjinë Vaskulare

28/05/2022

Kosovë, mbi 1700 pacientë në pritje për ndërhyrje në vena në Kirurgjinë Vaskulare

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare lista e pritjes është 1770 pacientë, ndërsa klinika posedon vetëm 24 shtretër për të gjithë pacientët e hospitalizuar dhe ka mungesë të anesteziologëve.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari i cili u shpreh se në këtë klinikë pacientët po presin që nga viti 2018 për të kryer ndërhyrje kirurgjikale në vena.

Rudari sqaron se kjo listë e pritjes është trashëguar qysh nga paslufta dhe gjithë ky fluks është për shkak se Klinika e Kirurgjisë Vaskulare është klinika e vetme në Kosovë që ofron trajtime të kirurgjike vaskulare.

Rudari tha se tashmë kanë adresuar një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës që reparti i Kirurgjisë së Fëmijëve t’i ofrohet në dispozicion Kirurgjisë Vaskulare për t’u trajtuar pacientët me shputë diabetike.

Drejtori i kësaj klinike po kërkon që sa më shpejt të fillojnë ofrohen këto trajtime kirurgjike edhe në spitalet e përgjithshme

 

/rtsh.al/