RTSH 24 Live

Kosova

Kosovë/ Çmimi i drurëve 100 % më shtrenjtë se 1 vit më parë, qytetarët: I papërballueshëm

25/09/2022

Kosovë/ Çmimi i drurëve 100 % më shtrenjtë se 1 vit më parë, qytetarët: I papërballueshëm

Në qytetin e Mitrovicës çmimi i druve për metër kub nga 30 euro sa ka qenë një vit më parë, është rritur në 60 euro. Shumë qytetarë në Mitrovicë e qytete të tjera e shohin si mundësi të vetme ngrohjen me dru, por edhe ato janë shtrenjtuar shumë.

Zejnullah Manxholli, qytetar nga Mitrovica, i cili kishte dalë në treg për të blerë dru, bëri të ditur për KosovaPress, se çmimi prej 60 eurosh për metër kub, është jashtëzakonisht i lartë dhe i papërballueshëm për të, ndaj u kthy në shtëpi pa i blerë drutë.

Sabit Hasani, një mitrovicas tjetër i cili akoma nuk e ka zgjidhur çështjen e ngrohjes për këtë dimër, tha se çmimi i druve është shumë i lartë.

Edhe Bilall Shyti, pranon se çmimi i druve është i lartë dhe i papërballueshëm për qytetarët. Ai thotë se i ka siguruar drutë qysh në muajin qershor me çmim prej 45 eurosh, ndërsa ka bërë thirrje institucioneve ta ndihmojnë popullatën për ta tejkaluar këtë situatë të vështirë.

Ndërkaq, një qytetar tjetër që kishte dalë në treg për të blerë dru, çmimin prej 60 eurosh nuk e quante problem. Avdyl Bajrami, i papunë, por që ka katër fëmijë të cilët punojnë jashtë Kosovës, tha se drutë nuk janë shtrenjtë.

Në anën tjetër, shitësit e druve nuk deshën të deklarohen para kamerës, por prapa saj thanë se “kush i shet drutë janë lirë, ndërsa për ata që i blejnë janë shtrenjtë”. Ata u arsyetuan se duhet shumë punë derisa t’i përgatisin ato për shitje, duke përmendur këtu prerjen e tyre, ngarkimin në kamion, pastaj transportin etj.

/rtsh/