RTSH 24 Live

Kosovë

Kosova kujton Banjskën, kërkojnë që autorët e sulmit të vihen para përgjegjësisë

5 orë para

Kosova kujton Banjskën, kërkojnë që autorët e sulmit të vihen para përgjegjësisë

Kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministri Xhelal Sveçla, zyrtarë qeveritarë dhe ambasadorë zhvilluan homazhe në vendprehjen e oficerit të policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, që u vra një vit më parë nga një grup serbësh në Banjskë të Zveçanit .

Ky flijim, kjo sakrificë e rreshterit të policisë, heroit Afrim Bunjaku ja ka vlejtur fort për policinë, për shtetin dhe gjeneratat e ardhshme. Duke rënë Afrim Bunjaku, nuk kanë rënë edhe shumë policë të tjerë dhe ata që ishin në betejë bashkë me të nuk lejuan që trupi i pajetë i heroit tonë të bie në duart e forcave armike”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Duke i bërë thirrje faktorit ndërkombëtar për mbështetje, Kurti tha se sulmi u organizua nga Serbia, ndaj duhet të mbajë përgjegjësi. Krye parlamentari Glauk Konjufca tha se Afrim Bunajku ra heroikisht për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës.

“Ai dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcënohet, sesi duhet të jepet jeta dhe të vet mohohet individi për të mirën e përgjithshme”, tha Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në mesazhin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani thuhet

Sot një vit, rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm. Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm!”, thuhet ne measazhin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërsa zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano në njëvjetorin e sulmit në Banjskë tha se të gjithë përgjegjësit duhet të japin llogari.

Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për ndjekje të shpejtë të përgjegjësve dhe rikonfirmon përkushtimin për drejtësi dhe llogaridhënie. Rikujtojmë nevojën për përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur sigurinë dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Peter Stano.

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh kreu sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ndërsa Policia e Kosovës iu përgjigj të shtënave me armë duke vrarë tre sulmues serbë. Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë organizatorin e sulmit Milan Radojçiç, që qëndron i lirë në Serbi dhe është shumë i afërt me presidentin Vuçiç.

/RTSH/