RTSH 24 Live

Botë

Kongresi amerikan afër miratimit të ndihmës për Ukrainën

20/04/2024

Kongresi amerikan afër miratimit të ndihmës për Ukrainën

Pas muajsh vonese, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së është gati të mbajë një votim për dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake amerikane për Ukrainën, ku kjo e fundit është bërë gjithnjë e më e paduruar për më shumë mbështetje perëndimore. Ndihma pritet të miratohet në Kongresin amerikan edhe për Izraelin.

Të dyja masat kanë kundërshtarë të fortë në Kongres, megjithatë shpresat për miratimin e ndihmave “janë varur” në një koalicion të brishtë dypartiak për të kapërcyer pengesat.

Ndihma për Ukrainën konsiston në 60.8 miliardë dollarë dhe 26.4 miliardë dollarë për Izraelin.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka thënë se është i vendosur ta çojë çështjen në votim, edhe nëse kjo mund të vërë në rrezik mbajtjen e tij në pushtet.  Vetë Ukraina ka paralajmëruar për një nevojë urgjente për mbështetje të re nga aleatët e saj, ndërsa Rusia bën fitime të qëndrueshme në fushën e betejës.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë për kalimin përfundimtar këtë të shtunë dhe Senati mund ta miratojë paketën këtë fundjavë. Presidenti Joe Biden është zotuar ta nënshkruajë atë në ligj.

/rtsh.al/