Një grup kriminal, që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt Porteve italiane është shkatërruar pas hetimeve të SPAK në bashkëpunim me autoritete e vendit fqinj. Prokuroria e Posaçme bën me dije se në Shqipëri u arrestuan 2 persona, të identifikuar si Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku, ndërsa në Itali u vunë në pranga 23 persona.
Hetimet u iniciuan nga Prokuroria e Firences në Itali, në vitin 2021, ndërsa rrjeti kriminal u zbulua përmes përgjimeve të mesazheve që organizatat kriminale shkëmbenin përmes aplikacionit SkyEÇ.
Sipas SPAK, ky grup kriminal ishte furnizues me shumicë i drogës në tregjet italiane. Dërgesat e drogës dërgoheshin nga Amerika e Jugut në kontejnerë, përmes porteve italiane, kryesisht Livorno, Genova dhe Savona dhe në vende të tjera evropiane. Kontejnerët ruheshin në portet e mbërritjes, ku ekipet e posaçme kujdeseshin për rikuperimin e lëndës narkotike dhe nxjerrjen e dërgesave nga zonat portuale, për t’i vënë më pas në dispozicion të grupeve kriminale.
Për të lehtësuar operacionet e identifikimit dhe gjetjes së kokainës, grupi i strukturuar kriminal përdorte pajisje radiolokalizimi, ndërsa droga fshihej brenda kontejnerëve të ngarkuar me fruta ekzotike ose në hapësirat e posaçme të krijuara për këtë qëllim.
Nga hetimet e kryera është bërë e mundur kapja e mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash, 20 kg marijuanë, nga e cila grupi kriminal do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro si edhe arrestimi në flagrancë i tre prej anëtarëve të këtij grupimi.
Në datë 05 nëntor u kontrolluan banesat e 18 personave të dyshuar, një pjesë e mirë rezidentë në Itali por dhe me banim në Shqipëri.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 20 000 euro, 52 ora të markave të ndryshme si psh. Rolex etj., 1 automjet tip Audi RSQ8 i viti 2020 si dhe 3 celularë, ku 2 prej tyre G Pixel, një armë zjarri pistoletë beretë me 15 fishekë, 3 celularë dhe pajisje të tjera.
Operacione të ngjashme janë duke u zhvilluar në Francë, Rumani dhe në vende të tjera të përfshirë.
/rtsh.al/