RTSH 24 Live

Europë

Kemi Bejdnok zgjidhet në krye të Partisë Konservatore britanike

2 orë para

Kemi Bejdnok zgjidhet në krye të Partisë Konservatore britanike

Për herë të parë në historinë e Britanisë së Madhe, një grua me ngjyrë, Kemi Bejdnok (o. Badenoch), do të jetë në krye të një prej partive kryesore në vend.

44-vjeçarja Bejdnok u zgjodh të shtunën kryetare e Partisë Konservatore me 53.806 vota kundrejt rivalit Robert Xhernik (o. Jenrick) me 41.388 vota.

Në votim morën pjesë gati 100 mijë anëtarë të partisë, që në korrik ia pasuan pushtetin laburistëve pas 14 vitesh në krye.

Znj. Bejdnok do të zërë vendin e ish-kryeministrit Rishi Sunak.

"Detyra që kemi përpara është e vështirë, por e thjeshtë," tha znj. Bejdnok me rastin e fitores. Ajo shtoi se puna e partisë që do drejtojë do të jetë të vërë para përgjegjësisë qeverinë laburiste dhe të bëjë planet për qeverisjen.

"Duhet të jemi të sinqertë për faktin se kemi bërë gabime, të sinqertë për faktin se lejuam të na bien standardet. Ka ardhur koha të themi të vërtetën, t'i qëndrojmë parimeve tona, të planifikojmë të ardhmen tonë, të kthejmë politikën në gjendjen e parë, si edhe të menduarit tonë, dhe t'i japim partisë sonë, vendit tonë, fillimin e ri që ata meritojnë," deklaroi znj Bejdnok.

Kryeministri Keir Starmer e përgëzoi znj Bejdnok për fitoren. "Liderja e parë me ngjyrë në një parti parlamentare është moment krenarie për vendin tonë. Unë pres të punoj me ju dhe partinë tuaj në interes të popullit britanik," reagoi kryeministri Starmer.

Zyrtarja që shërbeu si Sekretare për Biznesin në qeverinë e z. Sunak lindi në Londër nga prindër nigerianë, nga shteti afrikan ku kaloi shumicën e rinisë së saj.

44-vjeçarja ka qenë inxhiniere e programeve kompjuterike përpara se të hynte në politikë. Ajo mbron idenë për taksa të ulëta, ekonomi në treg të lirë dhe është zotuar se do ta "riprogramojë" shtetin britanik.

Në zgjedhjet e fundit, Partia Konservatore pësoi humbjen më të thellë që nga viti 1832, duke lëshuar mbi 200 karrige të parlamentit britanik. Zgjedhjet e radhës janë parashikuar të mbahen në vitin 2029.

/rtsh.al/