RTSH 24 Live

Ekonomi

Kancelari Scholz viziton vendet e Gjirit Persik, Gjermania siguron më shumë dërgesa gazi

25/09/2022

Kancelari Scholz viziton vendet e Gjirit Persik, Gjermania siguron më shumë dërgesa gazi

Kancelari gjerman Olaf Scholz, mbolli sot një pemë në një park rizoforë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si një shenjë simbolike ndaj ambientalizmit, gjatë një vizite dy-ditore në rajonin e Gjirit Persik. Vizita ishte e fokusuar kryesisht në sigurimin e furnizimeve të reja me lëndë djegëse fosile, si dhe krijimin e aleancave të reja kundër Rusisë. 

Gjermania po përpiqet të heqë dorë nga importet e energjisë nga Rusia, në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, duke shmangur një mungesë energjie në muajt e dimrit. Për ta bërë këtë, qeveria gjermane ka kërkuar furnizues të rinj të gazit natyror, duke instaluar terminale për të sjellë karburantin në vend me anije. 

Pas vizitës në parkun Jubail Mangrove në Abu Dhabi, Scholz u takua me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të nënshkruar një marrëveshje mbi bashkëpunimin energjetik. Kompania gjermane e shërbimeve RWE, njoftoi sot se do të marrë dërgesën e parë të gazit natyror të lëngshëm nga Kompania Kombëtare e Naftës e Abu Dhabit këtë vit.

RWE do të bashkëpunojë me Masdar me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të eksploruar projekte të mëtejshme të energjisë së erës në det të hapur, tha kompania. Nga Abu Dhabi, Scholz fluturoi për në Katar për t'u takuar me emirin, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, si dhe për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale, tensionet me Iranin dhe organizimin e Kupës së Botës në futboll. Apnews

/rtsh.al/