RTSH 24 Live

Teknologji

Inteligjenca Artificiale- Shqiptari në Zvicër krijon robotin që përpunon të dhënat e sëmundjeve në pak sekonda

19/04/2024

Inteligjenca Artificiale- Shqiptari në Zvicër krijon robotin që përpunon të dhënat e sëmundjeve në pak sekonda

Genis Skura, është një shqiptar i suksesshëm në Zvicër, i cili ka krijuar edhe robotin e tij përmes Inteligjencës Artificiale për përpunimin e të dhënave lidhur me sëmundje të ndryshme.

Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, Skura tha se gjithçka lindi nga burokracitë që haste kur punonte për OBSH-në.  Kjo, tha ai, e bëri të mendonte se si mund të shfrytëzonte Inteligjencën Artificiale për të marrë të dhënat që duan javë të tëra përpunimi në pak sekonda.

“Unë jam specializuar në AI dhe ideja ka lindur nga burokracia. Kur po punoja me OBSH më duheshin disa të dhëna dhe këto vononin. Këtu më lindi ideja që të krijoj një lloj roboti që këto të dhëna t’i gjejë brenda disa sekondave dhe të mos pres me javë. Pra dokumente me mbi 20 faqe të procesohen të dhënat brenda pak sekondash. Detyra ime ishte të trajnoja këtë robotin që të gjente p.sh. 7 mijë lloj emrash sëmundje. Në Shqipëri ka rezultuar nga të dhënat e robotit se hipertensioni dhe diabeti janë mbizotëruese”, tha ai.

I konsideruar si pioner i Inteligjencës Artificiale, Skura është i angazhuar në edukimin e brezit të ardhshëm të AI në fusha si shëndetësi, financë, juridik apo diplomaci.

“Kam mbaruar studimet për inxhinieri elektronike në Universitetin në Tiranë dhe aplikova në Zvicër, ku arsimi këtu ka disa burokraci të shtuara krahasuar me vendet e tjera. Kur erdha këtu isha i vetmi shqiptar dhe vetëm unë dhe një tjetër ishin studentë të huaj të pranuar, të gjithë të tjerët ishin zviceranë që ishin shkolluar këtu. Me suksesin që pata këtu zura edhe postin e një profesori tim në universitet, i cili doli në pension”, tha ai.

Skura shpreson se ky robot i tij i krijuar nga AI t’i shërbejë përpunimit të të dhënave në pak sekonda edhe në fusha të tjetra përveç mjekësisë.

/rtsh.al/