Biznesmeni Ilir Rrapaj, një nga përfituesit kryesor të koncesionit të sterilizimit, dëshmoi këtë të hënë para Komisionit Hetimor për koncesionet e “Check Up-it” dhe “Sterilizimit” në Shëndetësi.
I ndodhur në arrest me burg që prej gushtit të 2023, Ilir Rrapaj erdhi në sallën e komisionit i shoqëruar nga polica dhe me pranga në duar, ndërsa për orë të tëra iu përgjigj pyetjeve lidhur me aktivitetin e tij tregtar, njohjet me ish-ministrin dhe ish-zv.ministrin e Shëndetësisë si dhe përfitimet e ndara mes kompanive që fituan koncesionin e Sterilizimit.
Gjatë dëshmisë së tij, biznesmeni Rrapaj mohoi të njihte ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj apo kryeministrin Edi Rama, duke shtuar se ata janë prezantuar gjatë aktiviteteve zyrtare në vitet 2013-2014, por se nuk ka pasur kurrë komunikim apo miqësi me ta.
Rrapaj sqaroi se nuk i ka njohur njerëzit për të cilët akuzohet se kishte lidhjet më herët, si ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, por shtoi se “njohjet me të i forcoi pas arrestimit pasi ndodhen në të njëjtën rezidencë prej 15 muajsh”.
Sa i takon udhëtimeve të përbashkëta me Ilir Beqajn dhe Klodian Rjepajn, biznesmeni Rrapaj i mohoi. I pyetur për udhëtimin me makinën e Ilir Beqajt, ministër në atë kohë, ai tha se “makina i ishte dhënën për xhentilesë disa profesorëve italianë që kishin ardhur në Shqipëri dhe jo vetë atij”.
Biznesmeni Ilir Rrapaj u arrestua më 16 gusht 2023 dhe ndodhet në burg nën akuzën e mashtrimit. Sipas akuzave të SPAK, “përmes konsorciumit të kompanive SaniService dhe Investital LLC, ku Rrapaj rezulton aksioner kryesor, përfitoi 100 milionë euro nga koncesioni i Sterilizimit”.
Udhëtimet me makinën e ish-ministrit Beqaj, Rrapaj: E vuri në dispozicion për xhentilesë
I pyetur nga kryetarja e komisionit Albana Vokshi për udhëtimet e tij me Ilir Beqajn dhe Klodian Rjepajn, por edhe për përdorimin e makinës së ish-ministrit Beqaj, biznesmeni Ilir Rrapaj tha se “ai e vuri në dispozicion të profesorëve italianë për xhentilesë.”
Pjesë nga dëshmia:
Vokshi: Ka fakte publike se keni pasur udhëtime të përbashkëta me Ilir Beqajn dhe Klodian Rjepajn? Pse jeni ndodhur në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin avion me ata që ju thatë që nuk i njihnit? Keni udhëtuar disa herë bashkë, madje edhe makinën shtetërore të zv.ministrit, udhëtime jashtë vendit. Pse thatë që nuk i njihni?
Rrapaj: Ishin zyrtare. Kam qenë në funksion të udhëtimeve zyrtare Rajoni i Umbrias është pjesë e këtij akordi kuadër. Udhëtimi në Kosovës ka qenë i programuar për tu takuar me rektorin e universitetin e Prishtinës. Ministria e Shëndetësisë u tregua xhentile dhe na dha makinën për të shkuar në Kosovë. Pasi mbaruam punë në Tiranë, profesori italian iku në Prishtinë. Ishte një akt xhentilese nga ministria që i vuri në dispozicion profesorit një makinë.
Vokshi: Po thoni që paratë e buxhetit, benzina e ministrisë u vu në dispozicion të disa italianëve për të shkuar në Kosovë.
“Sterilizimi”, Ilir Rrapaj: Klodian Rjepajt i thoja “vëlla” se jam nga Vlora, por s’kishim konfidenca
Në dëshminë e tij Rrapaj thotë se e ka njohur Klodian Rjepajn kur është arrestuar, ndërsa e takuar për herë të parë në një aktivitet qeveritar në vitet 2013-2014.
I pyetur se në e-mailet e dërguara i drejtohej me termin “vëlla” ish-zv.ministrit, biznesmeni thotë se është nga Vlora dhe se e përdor këtë term, por nuk kishte konfidenca dhe njohje me Klodian Rjepajn.
Pjesë nga dëshmia:
Rrapaj: Isha ortak i vetëm i kompanisë, por e kam zgjeruar me kalimin e viteve. Nuk më kujtohet me sa kapital e kam hapur kompaninë. E kam hapur në vitin 2000, xhiro ka qenë në varësi të kontratave të caktuar nga 100 mijë euro deri në 1 milionë euro.
Vokshi: Kur u njohët me Klodian Rjepajn?
Rrapaj: Për shtetasin deri në gusht të 2023 kishe dijeni kush ishte, kam 15 muaj që ndaj të njëjtin rezidencë dhe tani mund të them edhe e njoh. Nuk e njihja para arrestimit, kam patur dijeni vetëm kush ishte por nuk ishte miku im, nuk kam pasur asnjë lloj miqësie dhe njohje me të. Konfirmoj që nuk e kam njohur në periudhën e shkollës edhe pse ishim në të njëjtin shkollë dhe vinim nga i njëjti qytet Vlora. E kam takuar zyrtarisht nga afër dhe jemi prezantuar në një aktivitet të zhvilluar nga qeveria shqiptare diku nga viti 2013-2014. Kam folur për komplimente për të për karrierën e bërë. Nuk kemi folur për koncesionin e sterilizimit. Jam vendosur në dijeni nga njëri nga ortakët që në bashkëpunim me ortakët e tjerë kishin vendosur të tentonin të merrni pjesë në garë.
Vokshi: Pra e-mail/et "vëlla..." ju s'e kishit këtë konfidencë, por pastaj këto u krijuan pas takimit që zhvilluat rastësisht në këtë aktivitet.
Rrapaj: Unë jam me origjinë nga Vlora dhe termin "vëlla" e kemi.
Vokshi: Meqë ishit nga Vlora ju i lejuat vetes të përdornit këto terma. Ju krijuat këtë konfidencë për t’i shkruar zv.ministrit që s'e njihnit me këto terma.
E njihnit Ramën dhe Beqajn? Rrapaj: Jo s’i njihja, vetëm formalisht kush ishin ata
Biznesmeni Ilir Rrapaj shprehet se nuk e ka njohur dhe as ish-ministrin Ilir Beqajn dhe as kryeministrin Edi Rama, por thotë se është takuar me ata formalisht gjatë aktiviteteve të ndryshme zyrtare.
Pjesë nga dëshmia:
Vokshi: E njihnit Ilir Beqajn?
Rrapaj: Për Ilir Beqajn kam njohjen kush ishte si personazh publik, nuk kam pasur miqësi për para dhe as kam as sot.
Vokshi: Po Edi Ramën e njihnit?
Rrapaj: Në të njëjtin aktivitete kam takuar Edi Ramën dhe Ilir Beqajn, nëse kjo mund të quhet njohje, por aty e kam takuar për herë të parë.
Vokshi: Po Ilir Beqajn e takuat më vonë pas aktivitetit, në ambiente zyrtare dhe jo zyrtare.
Rrapaj: Vetëm në ambiente zyrtare
Vokshi: Çfarë diskutuat në takimet me kryeministrin?
Rrapaj: Unë nuk mund të mbaj mend të gjitha temat e diskutuara se ishin të përfshira disa ministri.
Vokshi: Kush ka qenë marrëdhënia juaj me Ilir Beqajn në kohën kur ishte Ministër i Shëndetësisë.
Rrapaj: Kanë qenë dy takime në funksion institucional që rridhnin nga akordi kuadër
/rtsh.al/