RTSH 24 Live

Politikë

Helidon Bushati dorëhiqet si Drejtues i Qarkut të Shkodrës, Basha e zëvendëson me Alibeajn

26/01/2022

Helidon Bushati dorëhiqet si Drejtues i Qarkut të Shkodrës, Basha e zëvendëson me Alibeajn

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vendosur që Drejtuesi i ri Politik i Qarkut të Shkodrës të jetë, nënkryetari i PD-së dhe njëkohësisht Kryetari i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj.

Duke falenderuar ish-drejtuesin Helidon Bushati, Basha shprehet se me drejtimin e ri politik, Partia Demokratike në Qarkun e Shkodrës do të jetë bastion i fuqishëm i PD.

Duke e konsideruar qarkun Shkodër si një nga qarqet më të rëndësishme për Partinë Demokratike, Kryetari i Partisë Demokratike ka vlerësuar se qarku Shkodër ka të domosdoshme drejtimin nga një funksionar i lartë i PD dhe ka zgjedhur si Drejtues Politik të qarkut Shkodër, Nënkryetarin e PD dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar z. Enkelejd Alibeaj.

Duke falenderuar z. Helidon Bushati për rolin dhe përgjegjësinë e marrë në drejtimin e qarkut gjatë betejës elektorale të 25 Prillit dhe fokusimin e tij aktual tek beteja parlamentare kundër regjimit të korruptuar të Edi Ramës, Kryetari i PD shpreh bindjen se me drejtimin e ri politik, Partia Demokratike në Qarkun e Shkodrës do të jetë bastion i fuqishëm i PD dhe në krye të fitores së PD në gjithë Shqipërinë.”, thuhet në deklaratën e PD shpërndarë për mediat.

Helidon Bushati njoftoi përmes një reagimi në Facebook ditën e sotme se kishte dhënë dorëheqjen si Drejtues Politik i PD në qarkun e Shkodrës, duket theksuar se në këtë mënyrë krijohen mundësi për energji dhe impulse që do t'i shërbenin përbashkimit, si dhe hapen shanse për promovimin e emrave të rinj.

Pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD, kam marrë vendimin për t'u tërhequr nga roli i Drejtuesit Politik për Qarkun e Shkodrës. Këtë qendrim, e kam komunikuar me drejtuesit e PD, përpara kësaj shpallje.

PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratet do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku.

Çfarë i afron sot anëtarët e familjes sonë të madhe politike me njëri-tjetrin është shumë më e madhe se ajo që i ndan, dhe sidomos nevoja jetike që ka vendi për një përballje të fortë me regjimin e mandatit të tretë.

Mendoj se me këtë tërheqje timen, krijohen mundësi për energji dhe impulse që do t'i shërbenin PD me synim përbashkimin. E po ashtu, hapen shanse për promovimin e emrave të rinj. Do të vazhdoj padyshim të jem përfaqësues dhe deputet i Partisë Demokratike dhe do të mbroj deri në fund interesat e qytetarëve të Shkodrës e në veçanti të mbështetësve tradicionalë e historikë të së djathtës.

Ndihem çdo ditë i bekuar nga përkrahja që kam marrë dhe marr prej tyre.

Dua të falenderoj përzemërsisht, të gjithë banorët e qarkut Shkodër, demokratët e palodhur, drejtuesit e strukturave dhe bashkëpunëtorët e mi të afërt për besimin dhe mbështetjen e pakursyer përgjatë këtij rrugëtimi.

Një besim që do bëj gjithçka për ta shpërblyer.

Asnjë post, përgjegjësi e karrierë, nuk vlen sot më shumë se sa analiza, dhe shikimi në sy e me përulësi i realitetit.

Për PD dhe interesat e saj, nuk është hera e parë që unë bëj një hap të tillë, duke lënë në plan të dytë ambicien personale. Bindja ime e palëkundër është se PD dhe demokratët e meritojnë të japësh për ta.”, shkruan Helidon Bushati në profilin e tij në Facebook.

/rtsh.al/