RTSH 24 Live

Kosovë

Haga ndaloi Hashim Thaçin në funeralin e babait, Spiropali: Goditje ndaj vlerave njerëzore dhe parimeve të drejtësisë

18/03/2025

Haga ndaloi Hashim Thaçin në funeralin e babait, Spiropali: Goditje ndaj vlerave njerëzore dhe parimeve të drejtësisë

Kryetarja e Kuvendit e ka konsideruar ndalimin nga ana e Hagës të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait, si goditje ndaj vlerave njerëzore dhe parimeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Duke folur në homazhet në nder të Haxhi Thaçit i cili ndërroi jetë dy ditë më parë, Spiropali u shpreh se ndalimi i Hashim Thaçit për të qenë i pranishëm në funeralin e babait të tij është një goditje edhe për vetë institucionet sovrane të Kosovës.

Nuk i bën nder askujt përveç armiqve të lirisë fakti që Hashim Thaçi dhe udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë sot në 7 penxheret në Hagë si viktima të një drejtësie që po bëhet më tepër një iluzion dhe përditë e më tepër po shkallmon vlerat, parimet dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe injoron e margjinalizon institucionet sovrane të shtetit të lirë e sovran të Kosovës dhe që amoraliteti dhe falsitetit të vet i vuri vulën me ndalimin e të burgosurit padrejtësisht dhe kundraligjërisht, Hashim Thaçit për t’i dhënë lamtumirën babait të vet”, u shpreh Spiropali ndërsa theksoi më tej se “Baca Haxhi, në vend të Hashimit kemi ardhur të të përcjellim ne të gjithë, nga Shqipëria dhe të gjithë shqiptaria, të qoftë i lehtë dheu i Burojës, dheu i Skënderajt, dheu i Kosovës. Të kam sjellë edhe një dorë nga dheu i Shqipërisë, lamtumirë atit të atit të pavarësisë së Kosovës”.

Ajo vlerësoi figurën e babait të Hashim Thaçit duke theksuar se Haxhi Thaçi ishte më shumë se një njeri i zakonshë. Sipas Spiropalit, ai ishte njeriu i mbrujtur me edukatën patriotike gjë të cilën sipas saj, ia trashëgoi edhe të birit, i cili u bë komandant i UÇK-së në luftën e Kosovës për liri.

Shumë i nderuar Hashim që mungon në këtë përcjellje të babait tënd sepse padrejtësitë politike e kombëtare të burgosjes tënde e luftëtarëve të tjerë sot iu shtua edhe një padrejtësi njerëzore dhe morale. Haxhi Thaçi është shembulli se si një njeri i thjeshtë mund të bëhet një atdhetar i madh. Kjo është e mundur kur lidhjet e forta me njerëzit dhe përkushtimi i përditshëm i një burri që duket i zakonshëm shumëfishohen, ndriçojnë dhe frymëzojnë përkushtimin, sakrificat për atdheun për kombin, për njerëzit. Por Haxhi Thaçi ishte më shumë se kaq. Përkujdesja prindërore, edukata patriotike, devocioni i këtij plaku që u udhëhoq nga fryma e së drejtës dhe frymëzimit prej lirisë, i dhanë Kosovës një komandant e një luftëtar, një udhëheqës vizionar, kryeministrin e parë dhe presidentin e pavarur të Kosovës”, tha Spiropali.

/rtsh.al/