RTSH 24 Live

Greqi

Greqi, rindezje të pafundme zjarresh në Evia

11/08/2021

Greqi, rindezje të pafundme zjarresh në Evia

Përpjekjet për shuarjen e zjarreve në Evia po përballen me rindezjen e vazhdueshme të tyre, disa prej të cilave lidhen në një front shumë më të madh.

Ndërsa dita po mbaronte dje, zjarrfikësit nga Greqia dhe jashtë saj, së bashku me vullnetarët dhe banorët e ishullit u përqendruan në Ellinika, Agriovotano, Asmini, Galatsona dhe Avgaria pasi zjarret që filluan më 3 gusht kanë shkatërruar një pjesë të madhe të ishullit në veri.

Disa zjarre janë të vështira për t’u luftuar, pasi ato digjen në brinjë të thepisura malesh, ku qasja e vetme është nga ekipet tokësore ose aeroplanët dhe helikopterët.

Një shembull i një fronti të tillë ishte Simia, e cila u ndez dhe u zhvendos në veri në Telethrio.

Një front tjetër, nga Kamatriades në Galatsona dhe Kamaria është sulmuar nga toka dhe ajri për ta dobësuar atë, ndërsa zjarrfikësve u duhej gjithashtu të shuanin zjarret në Vassilika dhe Psaropouli.

Gjatë ditës, makineritë e rënda hapën zona zjarri disa kilometra të gjata, duke kufizuar përparimin e disa zjarreve.

Disa fshatra janë evakuar gjatë shkatërrimit tetëditor të tokës pyjore dhe fshatrave, ndërsa banorët e disa prej tyre kanë vendosur të qëndrojnë dhe të shpëtojnë shtëpitë e tyre, duke iu bashkuar përpjekjeve të shuarjes së zjarreve.

Në qytezën Mantoudi-Limni dhe Agia Anna, disa fshatra po shohin rindezjen e zjarreve, ndërsa përpjekjet po vazhdojnë në Troupi, Kalyvia, Myrtia dhe malin Kandili