RTSH 24 Live

Kosova

Gjyqi kundër Trumpit nis më 8 shkurt

23/01/2021

Gjyqi kundër Trumpit nis më 8 shkurt
 
 

Lideri i shumicës në Senat, demokrati, Chuck Schumer, ka bërë këtë njoftim pasi ka diskutuar këtë çështje me republikanët.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi planifikon të dërgojë padinë kundër Trumpit në Senat më 25 janar, për të nisur procedurat fillestare në ditën pasuese.

“Gjyqi do të mbahet në Senatin e Shteteve të Bashkuara dhe do të ketë votim nëse duhet të dënohet presidenti”, ka thënë Schumer në një fjalim në dhomën e Senatit.

 

Trump - presidenti i parë amerikan ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkim, dhe i pari që gjykohet pasi i ka skaduar mandati – është nisur drejt Floridas më 20 janar, duke mos marrë pjesë në inaugurimin e pasardhësit të tij Joe Biden.

Sulmi ndaj Kongresit më 6 janar, nga protestuesit pro Trumpit ka rezultuar me vdekjen e pesë personave, duke përfshirë një zyrtar policor.

Dhuna në Kongres ka shpërthyer pasi Trump ka pretenduar disa herë – pa ofruar fakte – se ai ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se procesi është manipuluar.