12 emigrantët që mbërritën të mërkurën në Shqipëri me anije do të duhet të kthehen përsëri në Itali, sipas një vendimi të Gjykatës së Romës.
Verdikti u bë i njohur të premten nga Seksioni për Emigracionin në Gjykatën e kryeqytetit italian.
"Dy vendet nga të cilat e kanë prejardhjen emigrantët, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk janë vende të sigurta as në bazë të Gjykatës Europiane të Drejtësisë," shprehet një nga gjyqtarët e tribunalit të Romës, duke iu referuar emigrantëve, që pak orë më parë u vendosën përkohësisht në kampin shqiptar të Gjadrit.
Vetëm 12 prej tyre arritën të kalonin verifikimet paraprake, ndërsa 4 emigrantë u rikthyen që të mërkurën, pasi ishin minorenë ose nuk përmbushnin kushtet e qëndrimit të parashikuara në marrëveshjen origjinale mes Shqipërisë dhe Italisë.
Më 4 tetor, Gjykata Europiane e Drejtësisë çmoi se për t'u konsideruar i sigurt, vendi nga vijnë emigrantët nuk duhet të ketë kryer më parë akte persekutimi, diskriminimi ose tortura në asnjë territor të vetin. Egjipti, Bangladeshi dhe Tunizia konsiderohen si vende të pasigurta në këtë kuadër. Në këto raste, Protokolli i bashkëpunimit mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare parashikon që emigrantët nga këto shtete të transferohen jashtë territorit shqiptar, për t'u trajtuar në Itali.
Riatdhesimi i personave mund të bëhet ditën e shtunë përmes një anijeje, e cila pritet t'i marrë në Portin e Shëngjinit dhe t'i dërgojë në Itali.
Më 13 tetor, autoritetet italiane shpëtuan 85 emigrantë që po tentonin të kalonin kufirin nëpërmjet rrugëve detare. 16 prej tyre u nisën drejt Shqipërisë, nga të cilët 2 u kthyen me të mbërritur në Shëngjin për shkak të moshës së mitur. Dy persona të tjerë rezultuan po ashtu vulnerabël.
/rtsh.al/