RTSH 24 Live

Politikë

GJKKO kërkesë SPAK të hetojë ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi

28/03/2024

GJKKO kërkesë SPAK të hetojë ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi

GJKKO i ka kërkuar SPAK të hetojë ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi. GJKKO ka konstatuar pavlefshmërinë e kërkesës së Gjykatës së Durrësit për pushimin e procedimit penal ndaj Roshit.

Po ashtu, GJKKO i kërkon SPAK-ut që të marrë dosjen që ndodhet pranë  Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe të vijojë hetimet.

““Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 75/a, 128, 128/a, 329, 329/a, 329/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin nr. 23, datë 26.03.2024, vendosi:

1) Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal.

2) Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

3) Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftim.

Hetimet u iniciuan nga një kallëzim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, dhe fillimisht u ndoqën nga prokuroria e Durrësit që vendosi pushimin e tyre dhe delegim të dosjes në Gjykatën e Posaçme për shkak të moskompetencës.

Sipas gjetjeve të KLSH, bëhet fjalë për shkeljet e gjetura gjatë viteve 2013-2014 në kohën që bashkia e Kavajës drejtohej nga Elvis Roshi. Hetimet u bënë për dy tendera me një dëm 33 milionë lekësh.

Tani do të jetë SPAK i cili do të regjistrojë procedimin penal dhe të hetojë ish kryebashkiakun. Elvis Roshi u dorëhoq nga detyra pas ligjit të dekriminalizimit.

/rtsh.al/