RTSH 24 Live

Kuriozitete

Gjirokastër, lejleku i rrallë rikthehet nga shtegëtimi në Afrikë

01/04/2023

Gjirokastër, lejleku i rrallë rikthehet nga shtegëtimi në Afrikë

Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), bën të ditur në një postim në rrjetet sociale se “pas një fluturimi për mbijetesë të nisur nga kontinenti afrikan, duke kapërcyer rreziqe si elektroshoku dhe vrasja e paligjshme, çifti i lejlekëve tashmë ka mbërritur në platformën e folezimit dhe ka filluar punën për rregullimin dhe fortifikimin e folesë”.

Është fjala për çiftin e lejlekëve (Ciconia ciconia)që kanë mbërritur tashmë në Gjirokastër për folezim.

Në këtë fole, familja e lejlekut do të mirëpresë anëtarët e rinj, të cilët do të ushqehen nga prindërit deri sa të mësojnë të fluturojnë për herë të parë.

Ndërtimi i platformës së folezimit është ndërmarrë nga PPNEA, Administrata e Zonave të Mbrotjura Gjirokastër dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit – OST sh.a. me qëllim rritjen e mundësive të folezimit të këtij lloji në Shqipëri.

Ky lloj numëron më pak se 10 çifte në Shqipëri dhe listohet si lloj i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje.

Shumë shpejt PPNEA do të aktivizojë kamerën me transmetim në kohë reale, e cila do të monitorojë familjen e lejlekut 24 orë në ditë.

Transmetimi do të jetë i aksesueshëm online për të gjithë dashamirësit.

Lejleku (Ciconia ciconia) është një shpend me gjatësi trupi 95-110 cm. Karakterizohet nga ngjyra e bardhë dhe pendët e fluturimit janë me ngjyrë të zezë. Karakterizohet nga ngjyra e kuqe e këmbëve dhe e sqepit.

Jeton në zonat rurale dhe preferon si ushqim bretkosa, gjarpërinj, brejtës, insekte dhe kafshë të tjera vertebrore dhe invertebrore që gjenden pranë lumenjve dhe liqeneve.

 

/ rtsh. al /