RTSH 24 Live

Europë

Gjermania ndryshon ligjin e emigracionit 

18/11/2023

Gjermania ndryshon ligjin e emigracionit 

Gjermania ndryshoi ligjin për emigracionit pasi ka nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar nga jashtë. 

Sipas ndryshimeve të reja të ligjit, specialistët nga vendet e treta me diplomë universitare ose nivel kualifikimi të ngjashëm, tani mund të imigrojnë në Gjermani me Kartën Blu të BE-së pa patur dëshmi të aftësive gjuhësore. 

Për industrinë e Teknologjisë së Informacionit, punëtorët e kualifikuar pa diplomë universitare mund të marrin një kartë blu të BE-së, nëse vërtetojnë se kanë përvojë 3-vjeçare në këtë fushë. Kush plotëson të gjitha kushtet si punonjës i kualifikuar me formim profesional ose akademik ka të drejtë të marrë leje qëndrimi, vendim që deri tani merrej nga misionet diplomatike dhe autoritetet e imigracionit. 

Sipas rregullave të reja, hiqet kufizimi për të punuar në fushën profesionale që dikush ka studiuar, por bën përjashtim mjekësia, drejtësia e mësimdhënia. Ndërkohë lehtësohet miratimi për drejtuesit profesionistë të automjeteve nga Agjencia Federale e Punësimit. 

Nga 1 marsi i vitit të ardhshëm hyn në fuqi njohja e kualifikimeve profesionale, që më parë ka qenë një pengesë burokratike në Gjermani. Kush ka një kualifikim profesional të njohur nga shteti në vendin e origjinës dhe ka 2 vite përvojë mund të emigrojë si punëtor në këtë vend. 

Ligji sjell risi edhe për ribashkimin familjar. Nëse punëtorët duan të bashkohen me bashkëshortët dhe fëmijët e mitur, ata duhet të dëshmojnë se u mjaftojnë të ardhurat për të jetuar. 

Nga qershori 2024 hyn në fuqi karta e mundësive me sistem pikësh. Përmes saj gjithkush mund të shkojë në Gjermani për të kërkuar punë për një vit, nëse e ka të siguruar jetesën. Ndryshime do të ketë edhe në Rregulloren e Ballkanit Perëndimor për rekrutimin e punëtorëve nga Shqipëria dhe 5 vendet e rajonit. Nga qershori 2024, do të jetë e vlefshme për një periudhë të pakufizuar dhe kuota vjetore do të dyfishohet në 50 mijë punëtorë.

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /