RTSH 24 Live

Kosovë

Gjermania dhe Franca: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen, Vuçiç t’u përmbahet detyrimeve

31/03/2023

Gjermania dhe Franca: Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen, Vuçiç t’u përmbahet detyrimeve

Franca dhe Gjermania kanë bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjes nga Serbia dhe Kosova që parashikon normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Ambasadori Guerot është shprehur se pret që Aleksandër Vuçiç të respektojë detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja në të kundërtën do të ketë pasoja për të dyja palët.

Është shumë herët të thuhet se cilat do të jenë pasojat dhe tani duhet të fokusohemi në përfitimet”, tha Guerot në debatin për zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, që po mbahet të premten, në Qendrën Mediale në Çagllavicë, në afërsi të Prishtinës. Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.

Ambasadori francez theksoi se negociatorët kryesorë në kuadër të dialogut, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, do të takohen më 4 prill në Bruksel dhe vlerësoi se ky është hapi i parë drejt zbatimit të Marrëveshjes.

Ndërkaq, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka theksuar se është optimist për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.

Tani kemi edhe vullnetin politik të aktorëve”, tha Rode.

Ai ka shprehur mendimin se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve është një “obligim afatgjatë” dhe shtoi se Kosova duhet të respektojë pjesën që ka të bëjë me vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq Serbia nuk duhet të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ambasadori gjerman ka shtuar se kjo marrëveshje do t’ua lehtësojë jetën qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në veri të Kosovës.

/rtsh.al/