RTSH 24 Live

Politikë

Garda vendos gardh metalik, Bardhi: Kuvendi s’është qeli burgu

17/10/2024

Garda vendos gardh metalik, Bardhi: Kuvendi s’është qeli burgu

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka reaguar mbi sjelljen e mazhorancës e cila ka urdhëruar gardën të vendosë gardh metalik në hyrje të Kuvendit pas paralajmërimeve të opozitës për mosbindje civile.

Ky është Kuvendi i Shqipërisë sot në mëngjes”, shkruan Bardhi ndërsa shton se dera kryesore është rrethuar me hekura.

Sipas tij, në hyrje të Parlamentit ka më shumë forca sigurie se sa deputetë.

Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”!

Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shndërrimi i Kuvendin në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar!”, shkruan Bardhi, teksa ditën e sotme do të mbahet seanca plenare ku një pjesë e deputetëve të opozitës janë përjashtuar nga Kuvendi pasi kanë protestuar dhe djegur karriget e Parlamentit.

Në fillim të këtij muaji, Sekretariati i Etikës së Kuvendit bëri të ditur se u përjashtuan përkohësisht 24 deputetë të opozitës nga seancat plenare të Kuvendit, për shkak se dogjën karrige para ndërtesës së institucionit.

Sekretariati vendosi që kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Flamur Noka, dhe deputetin Bledion Nallbati, të përjashtohen për 60 ditë nga seancat plenare.

Ndërsa, 20 deputetë të tjerë janë përjashtuar për 40 ditë. Një deputet tjetër është përjashtuar për 10 ditë nga seancat parlamentare.

Vendimi për përjashtimin e tyre u mor pas kërkesës që bënë një grup deputetësh të Partisë Socialiste menjëherë pas seancës së 30 shtatorit, e cila u shoqërua me akte dhune brenda dhe jashtë Kuvendit.

/rtsh.al/