RTSH 24 Live

Greqi

Fredi Beleri zyrtarisht kandidat për eurodeputet. Ja mesazhi nga burgu pas zyrtarizimit në listën e kryeministrit grek

15/04/2024

Fredi Beleri zyrtarisht kandidat për eurodeputet. Ja mesazhi nga burgu pas zyrtarizimit në listën e kryeministrit grek

Fredi Beleri zyrtarisht është kandidat për eurodeputet në Parlamentin e BE, nën siglën e partisë “Demokracia e Re”, drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis.

CNN grek e ka konfirmuar se kryeministri grek, ka mbyllur listën me emrat e 42 kandidatëve, pjesë e të cilëve është edhe emri i Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili është dënuar me 2 vite burg për veprën penale të blerjes së votave.

Ndonëse nuk ka mundur të marrë pjesë në prezantimin zyrtar të kandidatëve për votën europiane të   Demokracisë së Re , të cilën e shpalli kretari  Kyriakos Mitsotakis po u prezantua në Konservatorin e Athinës, Fredi Beleri ka dërguar një mesazh duke falënderuar kryeministrin.

Pyrros Dimas kishte përmendur edhe Fredi Belerin më herët , duke theksuar djalit të pranishëm në sallë që: “Pjetër, do të japim gjithçka, babi do të shfajësohet”.

Mesazhi i Belerit

“Të dashur bashkatdhetarë të mi.

Sot kryeministri Kyriakos Mitsotakis më ofroi mundësinë për të kërkuar votën e popullit grek në zgjedhjet evropiane të qershorit 2024.

E falënderoj për këtë, por mbi të gjitha e falënderoj për mbështetjen e pandarë që më dha gjatë gjithë këtyre muajve që isha në burg. Beteja që po bëj nuk është personale.

Është një betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë, rregullat e së cilës duhet të respektohen nga të gjithë. Është një betejë për vlerat që përfaqëson Perëndimi dhe Europa dhe të cilat duhet të respektohen nga ata që duan t'i bashkohen familjes së madhe evropiane.

Është një betejë për pjesën më të vuajtur dhe të padrejtë të helenizmit, minoritetin grek të Shqipërisë.

Vëllezërit e mi që pas dekadash shtypjeje duan dhe kanë të drejtë të jetojnë të lirë dhe të qetë, pa frikë, në një vend që respekton të drejtat, nderin dhe pronën e tyre.

I bëj thirrje çdo qytetari të mbështesë votën e Demokracisë së Re, të mbështesë kryeministrin që po ndërton me vendosmëri dhe metodë një Greqi të fortë dhe krenare, Kyriakos Mitsotakis”.

“Ndero Himarën, ndero Helenizmin në Shqipëri”

Në Shqipëri, Fredi Beleri është akuzuar për blerje votash dhe po pritet Apeli u GJKKO për një vendim të formës së prerë.

Një vendim fajësie do të shpallte zgjedhje të parakohshme për Himarën ndërsa pafajësia do të bënte që Beleri të betohej si kryebashkiak.

Nëse “Demokracia e Re” e Mitsotakis e kandidon duhet parë nëse ai heq përfundimisht dorë nga betimi për kryetar në Himarë. Ligji ynë ndalon që një kryetar bashkie të jetë deputet, ndërsa nuk parashikohet situata për zgjedhjet evropiane.

/rtsh.al/