RTSH 24 Live

Ekonomi

FMN përmbyll misionin në distancë me Shqipërinë: Rimëkëmbja ekonomie ka nisur

12/06/2021

FMN përmbyll misionin në distancë me Shqipërinë:  Rimëkëmbja ekonomie ka nisur

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përmbyllur misionin e tij në distancë me Shqipërinë, i cili kishte nisur që prej datës 7 qershor nën drejtimin e zonjës Yan Sun. 
Në deklaratën e tyre paraprake, misioni i FMN-së shprehet se rimëkëmbja ekonomie ka nisur edhe pse si vende të tjera jemi subjekt i zhvillimeve të papritshme të pandemisë së Covid 19. 
"Politikat fiskale në 2021 japin mbështetjen e duhur për ekonominë" thuhet në deklaratë por megjithatë qeveria duhet të tregohet e kujdesshme me investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme.
Vetë drejtuesja e misionit deklaroi se aktiviteti ekonomik i Shqipërisëë në vitin 2020 u tkurr shumë më pak sesa pritej fillimisht, duke reflektuar turizmin e rritur vendas dhe rajonal, mbështetjen e politikave dhe rindërtimin nga tërmeti, si dhe mungesën e një mbyllje të dytë. Në vitin 2021 rritja parashikohet të rikthehet në 5.3 përqind si rezultat i rimëkëmbjes së sektorëve të prekur nga pandemia si dhe vijimi të aktivitetit të rindërtimit pas tërmetit. 
FMN këshillon që të moderohen investimet publike për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor dhe rindërtimin nga tërmeti. 
Objektivi i vitit 2021 për një deficit primar prej 65 miliardë lekësh, është i mjaftueshë, për të siguruar mbështetje për ekonominë dhe një stimul shtesë duhet konsideruar vetëm  në rast se nuk materializohet rimëkëmbja e pritshme. 
Sa i takon politikave monetare, FMN shprehet në mbështetje të politikave lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. 
"Politika monetare duhet të mbetet mbështetëse, duke patur parasysh që presionet inflacioniste mbeten të ulëta dhe pritjet për inflacionin duhet të jenë të mirëankoruara. Rezervat e kapitalit të bankave duhet të ruhen deri sa të dihet ndikimi i plotë i pandemisë në cilësinë e aktiveve bankare", thuhet në deklaratën e FMN.