Një ngjarje e rëndë është regjistruar të hënën në mbrëmje në Fier, ku një 18 – vjeçare, dyshohet se është vetë plagosur me armë zjarri pistoletë në lagjen “Liri Gero”. Vajza është transportuar me urgjencë në Spitalin e Fierit dhe, sipas njoftimit të policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ajo është dëmtuar në pjesën e barkut, por fatmirësisht, pa prekur organet e saj jetike. Shkaqet që e kanë çuar vajzën me moshë 18- vjeçe drejt këtij veprimi ekstrem janë ende të paqarta, ndërkohë që policia po merr në pyetje familjarët e saj.
"Rreth orës 17:30, shtetasja A. G., rreth 18 vjeçe, banuese në Fier, është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, e dëmtuar me armë zjarri, jashtë rrezikut për jetën (paraprakisht dyshohet se është vetë plagosur me pistoletë). Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit", njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve, si dhe për dokumentimin ligjor të rastit.
/rtsh.al/