RTSH 24 Live

Ekonomi

Falimentimi i Silicon Valley Bank / Eksperti Igli Tola tregon sa të rrezikuara janë bankat në Shqipëri

17/03/2023

Falimentimi i Silicon Valley Bank / Eksperti Igli Tola tregon sa të rrezikuara janë bankat në Shqipëri

Falimentimi i Silicon Valley Bank dhe problemet që u shfaqën me bankën Credit Suisse kanë shkaktuar tronditje të tregjeve financiare por edhe panik te qytetarët. Në një intervistë dhënë paraditen e sotme për emisionin “Në radio”, eksperti i ekonomisë, Igli Tola, tregon se çfarë solli falimentimin e bankës Silicon Valley.

“Ajo që ndodhi ishte një problematikë e lidhur me borxhet. Si një bankë e orientuar drejt bizneseve inovatore apo startup-eve, për shkak të interaktivitetit të lartë që pati së fundi prej krizës dhe rritjes së normës së interesit për bonot e thesarit, mbi 30 për qind të këtyre depozitave i investoi për letrat me vlerë. Për shkak të dinamikave në tregun ndërkombëtar dhe ndërhyrjes nga autoriteti rregullator amerikan, pati një rënie graduale dhe përgjysmim të normave të bonove të thesarit. Kjo bëri që qytetarët, prej frikës, të turren për të tërhequr depozitat. Nga ana tjetër banka nuk kishte para sepse i kishte investuar. Nga kjo u detyrua të shiste titujt e blerë me një normë zbritjeje të lartë, larg parashikimeve të saj.”

Kjo situatë ngjalli panik mes klientëve të bankës, të cilët u drejtuan sporteleve për të tërhequr depozitat. Sipas Tolës, është paniku ai që sjell falimentimin e bankave. “Pra mospërputhja mes kohës së depozitimit dhe kohës së tërheqjes së parave. Në momentin që të gjithë depozituesit turren për të tërhequr paratë, edhe banka më e fuqishme rrezikon të falimentojë, sepse nuk ka para kesh, janë para të investuara.”

Duket se kjo krizë është e paralajmëruar, pas krizës globale të vitit 2008 që u shkaktua nga falimentimi i bankës Lehman Brothers.

“Kjo që ndodhi me Silicon Valley Bank është falimenti më i madh i bankave që pas krizës së 2008-ës. Krizë që u lajmërua nga falimenti i një prej bankave më të mëdha amerikane Lehman Brothers, një bankë mbi 200-vjeçare e cila falimentoi brenda pak orësh. Ajo që urojmë është që kjo krizë të mos shpërndajë metastaza në të gjithë sistemin ekonomik dhe të ketë reagim në kohë. Sot institucionet por edhe vetë entitetet bankare kanë tashmë një eksperiencë jo të largët në kohë. Kjo mund të shërbejë si një protokoll për të reaguar në kohë duke mësuar nga gabimet e të shkuarës.”

A është pasojë e falimentimit të SVB-së ajo çfarë ndodhi me bankën Credit Suisse në Zvicër? “Ajo që ndodhi me Silicon Valley Bank ndikoi në balancën dhe stabilitetin e bankës Credit Suisse. Por pati reagim në kohë dhe nuk u përhap panik, siç bënë drejtuesit e bankës në SHBA, të cilët dolën publikisht për të deklaruar se kishin nevojë për shtim kapitali mbi 1.7 miliardë.”

I pyetur nga gazetari Andri Xhahu se sa mund të preket sistemi bankar në Shqipëri, eksperti i ekonomisë shprehet:

“Unë gjykoj që nuk jemi të parrezikuar. Por edhe të përhapet panik nuk është vendi, sepse rrisim presionin në këtë situatë të papërshtatshme. Ajo që duhet bërë është që Banka Qendrore të kalojë në një sitë të gjitha bankat së paku për kriteret që lidhen me borxhin, për të parë se cilat prej tyre janë në nivele optimale dhe cilat prej tyre kanë vend për të përmirësuar balancën apo raportin e borxhit. Dhe kjo duhet bërë sa kohë jemi në këto kushte. Nëse situata thellohet, në një treg si ky i yni, me një numër relativisht të kufizuar bankash, 12 banka të nivelit të dytë që operojnë në treg, një pjesë e madhe e tyre edhe pse kanë qenë filiale të bankave ndërkombëtare, po shihet një trend për t’i privatizuar apo shqiptarizuar, risku është më evident. Duhet trajtim i çështjes në mënyrë serioze. Nuk ka vend për panik por ka vend për t’u treguar të kujdesshëm dhe për të marrë masat e duhura në kohë.”

Sipas Tolës, është e rëndësishme që qytetarët ta shohin ftohtë këtë situatë për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe pse po ndodh. “Paniku është i pashmangshëm, sepse është ai target-grup i klientëve konservatorë ndaj riskut, të cilët edhe për gjënë më të vogël priren t’i tërheqin paratë. E rëndësishme është që kjo të mos agravohet, të mos shkojnë qytetarët liberalë ndaj riskut të tërheqin paratë sepse atëherë situata bëhet problemtaike. Parimisht banka mban një rezervë të detyrueshme prej 10 për qind të depozitave, por nësë 20 apo 30 për qind e klientëve shkon për të tërhequr paratë, atëherë lind problemi.”

/rtsh.al/