Tirana mirëpret këtë të enjte Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan). Kreu i shtetit turk do të pritet me një ceremoni në Presidencë nga homologu Bajram Begaj, me të cilin do të ketë gjithashtu edhe një takim kokë më kokë.
Më pas, Presidenti Erdoan do të takojë edhe Kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të mbajë një deklaratë të përbashkët për mediet.
Sipas axhendës, Presidenti turk gjithashtu do të marrë pjesë pasditen e sotme në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, e cila ndodhet pranë Parlamentit shqiptar.
Gjatë kësaj vizite janë planifikuar të nënshkruhen marrëveshje të ndryshme për të përmirësuar bazën e përbashkët të marrëdhënieve dypalëshe. Përveçse nga bashkëshortja e tij, Presidenti Erdoan shoqërohet edhe nga ministri i Jashtëm i Turqisë, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Ministri i Tregtisë, Ministri i Rinisë dhe Sporteve, Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ministri i Transportit, Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, shefi i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MİT) dhe drejtuesi për Çështjet Fetare.
Bisedimet parashikojnë gjithashtu një shkëmbim idesh mbi çështjet aktuale globale dhe rajonale, veçanërisht zhvillimet në Ballkan, si dhe sulmet izraelite në Gazë dhe Liban.
Për shkak të vizitës së Presidentit turk, seanca plenare e parashikuar për sot është shtyrë për në datën 17 tetor me të njëjtin rend dite.
Sakaq, në kuadër të kësaj vizite të kreut të shtetit turk në Shqipëri, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash, sipas të cilit një sërë aksesh kryesore do të bllokohen. Më konkretisht, aksi i vjetër Kashar-Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar. Policia këshillon drejtuesit e automjeteve që të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar-Rinas.
Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:
- Nga Rinasi - Qafa e Kasharit - Mbikalimi tek Casa Italia - nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) - Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit.
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi "Zhan D'Ark" dhe rruga "Xhorxh Bush".
Kjo nuk është hera e parë në Shqipëri për Presidentin turk. Kujtojmë se në maj të vitit 2015, Erdoani ka zhvilluar një vizitë në vendin tonë, ku është nderuar asokohe nga Presidenti Bujar Nishani me "Urdhrin e Flamurit Kombëtar".
Më pas, në muajin janar të 2022-shit Presidenti Erdoan zhvilloi një tjetër vizitë zyrtare në vendin tonë, ku pas takimit me kryeministrin Rama, pa nga afër frytet e ndihmës së shtetit turk për rindërtimin, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, si dhe zhvilloi vizitë në Xhaminë e Et’hem Beut.
Në muajin janar të 2021-shit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u prit në mënyrë madhështore nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdoan në Ankara. Garda turke e shoqëroi kryeministrin shqiptar që nga momenti i zbritjes nga aeroporti e deri te Presidenca. Ishte Erdoani ai që priti Ramën në momentin kur doli nga makina. Të dy liderët e veshur me të zeza dhe me maska përshkruan rrugën e shtruar me tapet blu.
/rtsh.al/