RTSH 24 Live

Botë

Elon Musk rrit mashtrimet në Twitter ndaj Pelosit, shtohen me 500% sulmet raciste ndaj njerëzve me ngjyrë

04/11/2022

Elon Musk rrit mashtrimet në Twitter ndaj Pelosit, shtohen me 500% sulmet raciste ndaj njerëzve me ngjyrë

Vetëm pak orë nga sulmi ndaj Paul Pelosit, teoritë e konspiracionit që shmangnin fajin për sulmin ndaj bashkëshortit të kryeparlamentares amerikane, Nancy Pelosi, nisën të qarkullojnë në internet.

Nuk kishte rëndësi nëse autoritetet deklaruan se Paul Pelosi ishte vetëm kur i dyshuari hyri në shtëpinë e çiftit në San Francisko, ose që hetuesit thanë se nuk besonin se dy burrat njiheshin me njëri-tjetrin.

Nuk kishte rëndësi as që i dyshuari, David DePape, rrëfeu para hetuesve se ai hyri në shtëpinë e Pelosit duke synuar atë që bëri.

Pretendimet e rreme për sulmin u përhapën me shpejtësi dhe morën nxitje të madhe nga disa republikanë të shquar, ndërsa Elon Musk, tani pronar i Twitter, një nga platformat kryesore online në botë, u bëri jehonë.

Postimet, të cilat sugjeronin në mënyrë të rreme një marrëdhënie personale midis Pelosit dhe sulmuesit të supozuar, u rritën në Twitter, një ditë pasi Musk postoi dhe fshiu një lidhje me një artikull që sugjeronte diçka të tillë.

Musk nuk ka dhënë shpjegime se përse e bëri lidhjen me një artikull të tillë të rremë, apo pse fshiu postimin e tij, pas një postimi nga Hillary Clinton, që dënonte sulmin. Twitter nuk iu përgjigj as pyetjeve të Associated Press për këtë veprim.

“Ai harroi për një sekondë se tani ishte pronari i platformës, dhe jo një përdorues që mund të thotë çfarë të dojë,”- tha Brad Greenspan, një sipërmarrës teknologjik dhe një investitor i hershëm në MySpace. 

Një nga disa republikanë që përforcon teorinë e pabazë të konspiracionit, Rep. Marjorie Taylor Greene, R-Ga., mbrojti Musk me një postim në Twitter, duke përsëritur pretendimin e rremë për "mikun e Paul Pelosit”.

Donald Trump Jr., talli Paul Pelosin në Twitter, duke bërë edhe ai pohime të rreme.

Prokurorja e Qarkut të San Franciskos, Brooke Jenkins, i’u lut liderëve politikë të ishin të përgjegjshëm për komentet në lidhje me rastin në fjalë.

“Ne sigurisht nuk duam që faktet e shtrembëruara të qarkullojnë, që të traumatizojë më shumë një familje që është traumatizuar mjaftueshëm”, tha ajo.

Brenda vetëm 12 orësh nga blerja nga Musk, referencat për epitete raciste për të poshtëruar njerëzit me ngjyrë u rritën me 500%, sipas një analize të kryer nga Instituti i Kërkimeve për Infektimin e Rrjetit, një firmë me bazë në Princeton, Nju Xhersi që gjurmon dezinformimin.

Ekspertët e ekstremizmit dhe studiuesit e dezinformimit kishin paralajmëruar se ndryshimi i pronësisë mund të përkeqësojë përpjekjet e Twitter për të luftuar keqinformimin dhe gjuhën e urrejtjes, veçanërisht me zgjedhjet afatmesme të këtij viti në SHBA.

Yosef Getachew, drejtor i programit të medias dhe demokracisë në Common Cause, tha se ekziston një rrezik i madh që keqinformimi i përhapur kaq shpejt përpara zgjedhjeve mund të ngatërrojë ose të frikësojë votuesit, ose të çojë deri edhe akte dhune.

Prokurori Jenkins hodhi poshtë teoritë e konspiracionit, duke thënë se nuk kishte asnjë provë që DePape e njihte Paul Pelosin. 

Twitter dhe platforma të tjera,- tha Haworth,- kanë “krijuar një atmosferë toksike, pasi zyrtarët publikë dhe familjet e tyre janë në rrezik, pasi kërcënimet në internet po shtohen ndaj tyre”. Apnews

/rtsh.al/