RTSH 24 Live

Kulturë

Ekspozita "Brio" e Orion Shimës, cikli i punimeve frymëzohet nga muzika klasike

04/03/2024

Ekspozita "Brio" e Orion Shimës, cikli i punimeve frymëzohet nga muzika klasike

Muzika klasike dhe pjesëmarrja në operë ishin indicia e parë që piktori Orion Shima mori për të nisur ciklin e punimeve të tij, të cilat tashmë kanë marrë formë dhe që prej datës 1 mars mirëpresin publikun në galerinë "Fab", pranë Universitetit të Arteve.

"Sigurisht, frymëzimi ka ardhur nëpërmjet shijimit të operës dhe muzikës klasike. Ideja fillestare, spuntoja, nisi nga një simfoni që dëgjova. E trajtova si një mundësi për të përballur këto dy elemente: tingullin dhe ngjyrën," shprehet piktori.

Një ndërthurje e magjishme ngjyrash, të cilat vallëzojnë me njëra-tjetrën, por të zhveshura nga e përditshmja.

Piktori kërkon t'i largohet metropolit e zhurmës, ndërsa e ka cilësuar këtë cikël punimesh si ekspozitën më ambicioze të karrierës.

"Kam pasur mundësinë të trajtoj figurën e dirigjentit, instrumentistëve, gjithë orkestrën dhe marrëdhëniet e një instrumentisti me tunxhet, veglat. E gjitha kjo më dha mundësinë që ta përktheja tingullin me mjete piktorike," thotë z. Shima.

Ekspozita "Brio" mirëpret publikun artdashës deri në datën 12 mars.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/